.

Gjyqi me Shkëlzen Berishën, Balla: Të mos pushohen hetimet, dosja t’i vihet në dispozicion…

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla i bëri thirrje Prokurorisë të vijojë hetimet dhe mos pushojë hetimet për çështjen CEZ.

“Prokuroria të mos pushojë çështjen ndaj Berishës dhe Kalajt për të cilët ne kemi bërë një kallëzim penal. Qytetarët shqiptarë kanë humbur 419 mln euro me kompaninë CEZ. Duhet të përdor këtë moment dhe i bëj thirrje Prokurorisë të vijojë hetimet dhe kjo dosje t’i vihet në dispozicion Prokurorisë Speciale që pritet të krijohet. Nuk mund të na thotë Prokuroria që nuk gjejmë Ndue Kalajn ku eshte kandidat për anëtar në Komunën e Prizrenit. Ne nuk jemi si ata, pasi çdo akuze dhe çështje i shkojmë deri në fund. Akuzat që kemi ngritur qëndrojnë plotësisht”- tha Balla.

Hetimet mbi çështjen e shumëpërfolur “CEZ”, mbahen peng nga dëshmia e biznesmenit Kosovar Ndue Kalaj. Përmes një leterporosie autoritetet kosovare informojnë prokurorinë shqiptare se kërkimet policore për gjetjen e Kalajt nuk kanë dhënë rezultat. Për këtë arsye nuk është bërë e mundur pyetja e tij për llogari të çështjes hetimore që po zhvillohet në Shqipëri. Në kushtet kur dëshmia e Nue Kalaj, njeriut të konsideruar nga socialistët si sekser në procesin e privatimit të OST nga kompania çeke CEZ, konsiderohet si provë kyce për t’i dhënë zgjidhje cështjes, Prokuroria ka vështirësi për të dalë në vendimmarrje.