.

Dhoma e të Marrëve


Nga Berat Buzhala
Nga ajo çfarë kemi parë dhe çfarë po shohim në jetën publike në disa javët dhe në disa muajt e fundit, nuk na ka mbetur tjetër, përveçse ta shtrojmë pyetjen që e shtroi Jezusi i gozhduar në kryq përpara se të vdiste: O Zot, o Zot, pse më braktise? I biri i Zotit, sipas të krishterëve, në një moment të dobësisë u frikësua, u ndie i lënë anash, e humbi edhe vetë besimin, sa filloi të dyshonte dhe ta kërkonte Atin e tij. As ai nuk kishte besuar që fundin do ta kishte të tillë. Në majë të kryqit, i gozhduar këmbësh dhe duarsh, i shoqëruar në të dyja anët me dy hajna të zakonshëm, gjithashtu, të kryqëzuar. Krishti, me gjasë, kishte qenë i bindur që një Zot, një bir i Zotit, do të përfundonte në mënyrë më solemne.Ne që e patëm fatin, më shumë fatkeqësinë, që ta ndjekim, aq sa mundëm, seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës, e kishim rastin ideal që ta shtronim pyetjen e Jezusit: O Zot, o Zot, pse na braktise? Një sagë e gjatë dhe e mundimshme. Ishin 120 burra e gra, të më falin disa që e bëjnë dallimin e që mund t’i numërojmë në më pak se 10 gishta, që po luanin me fatin tonë, “live” para kamerave televizive. Çohej njëri dhe e propozonte një amandament me implikime buxhetore disamilionëshe, një tjetër provonte të lexonte diçka nga letra me vështirësitë e një nxënësi të klasës së parë të shkollës fillore, kurse një i tretë çohej që ta përcaktonte fatin e Televizionit Publik të Kosovës, se a do të ishte ai televizion shtetëror, që do t’i përgjigjej shtetit, apo televizion publik që do t’i përgjigjej publikut.

Për RTK-në, realisht çfarëdo që vendoset në Kuvend nuk ka ndonjë rëndësi të madhe praktike, sepse ky medium edhe ashtu është lodër e Thaçit dhe Veselit, sido që të vendosim që ta pagëzojmë. Unë po flas në rrafshin teorik, pra, sikur Kosova të ishte sadopak shoqëri normale, por që për momentin as era nuk i vjen si e tillë. Në shoqëri të këtyre deputetëve, të pafuqishëm dhe të dorëzuar, ne shkruajmë statuse në Facebook, duke e konsideruar këtë si armën tonë të vetme. E zbrazim mllefin tonë ndaj Kuvendit, sikur të kishte qenë ky organ i shkëputur prej nesh, sikur ne të mos kishim kurrfarë fuqie ndaj tij. Pak a shumë, sikur këta të ishin njëfarë forme e Dhomës së Lordëve, por që nuk emërohen aty në bazë të prejardhjes së gjakut, a institucionit që i delegon, por që trashëgohen. Kurse trashëgimia, jo në bazë të gjakut, por në bazë të marrëzisë.

Një i marrë e trashëgon një të marrë tjetër. Pra, në rastin tonë kemi të bëjmë me Dhomën e të Marrëve. Kjo edhe do të kapërdihej disi, sikur Kosova ose sikur Kuvendi i Kosovës ta kishte edhe një dhomë tjetër, ku do të ishin përfaqësuesit normalë të shoqërisë, nëse edhe më tutje guxojmë të shpresojmë që në shoqërinë tonë ka të tillë. Por të kthehemi te estrada e ditës së djeshme. Ajo e reflektonte më së miri katandisjen tonë. Puna që nuk është bërë tash e disa muaj po nxitohej të përfundohej brenda një dite të vetme. Kërkohej që të aprovoheshin në kohë rekord rreth 400 amandamente të shpërndara në shumë ligje, disa prej tyre me rëndësi jetike për të ardhmen tonë, siç është ligji për pagat dhe ai për buxhetin. Ndërkaq, të gjitha këto veprime pritej të bëheshin nën shantazh të sindikatave, nën shantazh të deputetëve, nën shantazh të partive në pushtet ose partive opozitare. Me fjalë të tjera, çdo gjë që dje zhvillohej në Kuvendin e Kosovës dukej si një vepër masive penale, ajo e shantazhit, ku çmimin ose haraçin nuk e paguan personi fizik, por e paguan buxheti i Kosovës, që do të thotë se e paguajmë ne.

Dikush thoshte “rriti pagat në këtë sektor, nëse e do votën time”, një tjetër “rriti në sektorin tjetër, nëse e do edhe timen”, e një i tretë në mënyrë të tërthortë kërkonte që t’i rritej paga kushëririt që e udhëheq një agjenci të pavarur për inat të një deputeti tjetër, i cili ishte treguar i shkathtë për ta kontrabanduar rritjen e koeficientit të një agjencie tjetër të pavarur, ku ndodhej kushëriri i tij. Kështu, rrite këtu pak koeficientin, rrite atje pak koeficientin, Kuvendi i Kosovës ua rriti pagat 70 për qind të punëtorëve të shtetit, duke e bërë Kosovën shembull ku pagat në sektor shtetëror janë më të mëdha sesa pagat në sektor privat. Është e kotë të provosh t’i bindësh këta të marrë se përse një gjë e tillë është gabim. Së pari, është gabim sepse cilësia që ne e pranojmë nga organet shtetërore është dramatikisht më e varfër sesa çmimi që e paguajmë; dhe së dyti, e ndërlidhur më të parën, duke punësuar parazitë që paguhen në mënyrë të rrasët, e dëmtojmë konkurrencën në sektorin privat, e cila e ndihmon zhvillimin ekonomik.

Kjo kastë shoqërore ose ndoshta kjo koloni që banon në enklavën e quajtur “Kuvend i Kosovës”, refleks të parë dhe të vetëm e ka zhvatjen dhe fisin. Hiqja buxhetin këtyre dhe dhuroja këtyre tjerëve, sepse këta na kanë premtuar që do të na votojnë. Hiqe këtë rrugë prej Gjilanit, e çoje në Dukagjin, së votat e tyre na sollën në qeveri. Mos ua ndërto shkollën në Prizren, por ua ndërto këtyre në Podujevë, se kemi folur me Agimin. Hiqja kanalizimin Gjakovës, e ua ço Klinës, për një tjetër arsye po kaq mizore. Nuk ka nevojë për analiza e as për studime. Thjesht dhe vetëm: a i kemi votat? Përse o Zot?