.

Si ‘shiteshin’ në mënyrë sekrete njerëzit në komunizëm

 

Njerëzit që përpiqeshin të arratiseshin nga Gjermania Lindore gjatë Luftës së Ftohtë mund të qëlloheshin, të burgoseshin dhe të torturoheshin. Por qeveria ishte kaq keq për para, sa disa përfundonin duke u shitur në mënyrë sekrete tek Gjermania Perëndimore, vendi ku shumica e tyre kishin tentuar që të arrinin së pari


Nga Gavin Haines, BBC
“E gjeta veten në një stacion policie. Mbaj mend policin që më pyeti se përse nuk po qaja. Mendoj për ato fjalë tani dhe pyes veten: Pse nuk po qaja? Ndoshta sepse isha në shok”.
Daniela Walther kujton natën kur e kapën në përpjekje për t’u arratisur nga Berlini Perëndimor. Ishte gushti i vitit 1961. Ajo ishte pesë vjeç.
Dy ditë më parë, babai i saj, Karl- Heinz Prietz, që ishte gazetar në një revistë për arsimin, kishte mësuar se autoritetet në Republikën Demokratike Gjermane do të mbyllnin kufirin mes Berlinit Lindor komunist dhe Berlinit Perëndimor kapitalist.er, duke iu referuar Murit të Berlinit, që ra 25 vjet më parë, më 9 nëntor 1989.


Duke e ditur se do ishte e pamundur për t’u zhvendosur në Berlinin Perëndimor pasi të ngrihej muri, babai i saj e bindi mamanë që të arratiseshin.
“Ajo hezitoi fillimisht që të hiqte dorë nga puna e saj si mësuese- mësimdhënia ishte arsyeja e ekzistencës së saj, por pranoi,” thotë Walther.
“Babai na tha ku të shkonim, ku të kalonim dhe ku ta prisnim. Qëndruam aty natën e 11 gushtit, duke fjetur në strehën e dikujt. Mbaj mend mamanë që ishte e pikëlluar dhe më kërkonte që të rrija urtë. Kisha frikë”.
Mbrëmjen që pasoi, babai i saj erdhi dhe i drejtoi për aty ku mendonte se ishte pika më e dobët e kufirit, që ishte tashmë i patrulluar rreptësisht.
“Ai shkoi përpara dhe thirri mamanë që ta ndiqte, por ajo ngriu- nuk kishte kurajë. Mbaj mend që qëndroja pranë saj, duke dëgjuar babanë që e thërriste”.


Më pas u shfaqën rojet.
“Ata erdhën në errësirë dhe arrestuan babanë tim. E morën dhe nuk e pashë për tetë vite,” thotë ajo.
Walther dhe mamaja e saj u arrestuan dhe u dërguan në një stacion policor. Mamaja e saj u dënua me nëntë muaj burg si bashkëpunëtore në një tentativë arratisje dhe Walther u dërgua që të jetonte me gjyshërit e saj në fshatin Stockhausen.
“Të ishe bija e dikujt, që kishte tentuar të kalonte kufirin, ishte më keq se të ishe bija e një vrasësi,” kujton ajo.
“Gjyshërit më thonin: Nëse dikush pyet, do u themi që je vajza e Lilos, hallës sime në Gjermaninë Perëndimore”.
Walther u mësua menjëherë me jetën e re.
“Në fakt isha e lumtur. Gjyshërit e mi kishin shumë kafshë, përfshi një qen, dhe për shkak të kolektivizimit, gjithçka ishte e hapur- nuk kishte tokë private dhe gardhe, kështu që dilja për eksplorim kudo”.
Walther madje mësoi të bënte ski.
“Gjeta skitë e babait tim, që ishin goxha të mëdhenj, dhe mësova të bëj ski, edhe pse ishte shumë e rrezikshme”.
Kur mamaja u lirua nga burgu, ata u zhvendosën në Potsdam.
“Mamaja ime ishte e paqëndrueshme. Ajo e mbushte kohën duke u marrë me një ekip akrobacish me kuaj të ushtrisë”.
Ndërkohë, ekonomia në Gjermaninë Lindore ishte në rënie të lirë.
Shumë punëtorë të aftë dhe intelektualë ishin arratisur dhe Bashkimi Sovjetik po e zhvishte vendin nga pasuritë.
Në vitin 1964 situata fiskale ishte aq e rëndë, sa autoritetet hartuan një skemë për të shitur të burgosurit politikë në Gjermaninë Perëndimore. Kjo quhej haeftlingsfreikauf.
“Mes viteve 1964 dhe 1989, rreth 33.755 të burgosur politikë dhe 250 mijë të afërm të tyre u shitën në Gjermaninë Perëndimore për një shumë prej 3.5 miliardë markash gjermane,” thotë historiani dhe autori, Andreas Apelt.
“Të dy palët kishin interes për të bërë tregti- RDGJ për shkak se kishte nevojë për valutën perëndimore dhe RFGJ për shkak se donte të shpëtonte njerëzit nga burgjet çnjerëzore të RDGJ”.
Të burgosurit shkëmbeheshin edhe për mallra të tillë si kafe, bakër apo naftë.
Megjithatë, asnjë palë nuk donte që publiku të mësonte këtë gjë- RDGJ për shkak se nuk donte të dukej e dobët dhe Gjermania Perëndimore për shkak se nuk donte të shihej si mbështetëse e një regjimi komunist.
Kështu që operacioni mbeti klandestin- njerëzit tregtoheshin nëpër stacione hekurudhore, poshtë në metro, ose dërgoheshin matanë kufirit me autobusë me targa të dyfishta. Targat u ndërroheshin sapo kalonin kufirin për të mos ngritur dyshime.
Në vitin 1968 u negociua një çmim për babain e Walther, Harl- Heinz Prietz.
“Ai kishte qenë në burg për tetë vite. Ishte torturuar- nuk i shpjegonte metodat, por ata i kishin shkatërruar shëndetin. Nuk mendoj se e ka parë dritën e diellit për vite,” thotë ajo.
Ndërsa ishte në burg, Prietz kishte shpenzuar orë të tëra duke shkruar përralla, që ia kishte treguar dikur vajzës.
“Ai trillonte histori për dy arinj të quajtur Bumsi dhe Plumsi, që kalonin shumë aventura bashkë”.
“Në burg, ai vazhdoi të shkruante këto histori dhe kishte bërë një grumbull të madh me tregime”.
Megjithatë, të burgosurit nuk mund të largoheshin nga Gjermania Lindore përveçse me rrobat e trupit, kështu që ai ia dërgoi librat gruas së tij që t’i ruante në një vend të sigurt.
Pasi Prietz u vendos në Berlinin Perëndimor, u bë një marrëveshje që pas tij të vinte Walther dhe mamaja e saj.
“Në të vërtetë nuk doja të shkoja, doja të rrija në Gjermaninë Lindore me gjyshërit, por marrëveshja ishte bërë për gruan dhe vajzën. Mendoj se janë paguar 100 mijë marka për ne”.
Kur erdhi koha për të paketuar çantat, mamaja tha se nuk kishte hapësirë për librat e babait.
“Kështu që nuk i morëm me vete. Ajo tha se nuk kishte hapësirë, edhe pse morëm shumë gjëra pa vlerë. Nuk do ia fal kurrë,” thotë Walther.
Të dyja kaluan kufirin përmes një stacioni hekurudhor në Friedrichstrasse. Ishte viti 1969 dhe Daniela ishte 13 vjeç.
“Mikesha ime Gudrun erdhi që të na përshëndeste. Isha shumë e mërzitur që do e lija. Ajo tha se do vinte të na vizitonte kur të bëheshim 60 vjeç, pasi atëherë lejoheshin të largoheshin nga Gjermania Lindore”.
Pas lamtumirës me Gudrun, Walther dhe mamaja e saj u morën në pyetje nga shërbimet sekrete britanike, franceze dhe amerikane, që kontrollonin Berlinin Perëndimor.
“Më bënë shumë pyetje dhe mbaj mend që mendoja ‘më vjen keq, jeta ime është kaq e mërzitshme’,” thotë Walther.
“Babai im po na priste nga ana tjetër. Nuk e njoha, çka është shumë e dhimbshme për mua. Ai po qante”.
Meqë ishin ndarë kur Walther ishte shumë e vogël, ajo u mërzit më shumë që humbi shoqen.
Jeta në Berlinin Perëndimor nuk ishte e lehtë për familjen e ribashkuar.
Prindërit u ndanë dhe ajo pati vështirësi që të përshtatej me sistemin arsimor.
“Kur je fëmijë, shkolla është në qendër të botës tënde dhe unë e urreja,” thotë ajo.
“Nga e para e klasës që isha në Gjermaninë Lindore, përfundova në fund. Mësuesja e gjuhës së huaj më tha se nuk do e kuptoja kurrë anglishten”.
E vendosur që të provonte se mësuesja e kishte gabim, Walther e bindi babanë që të paguante për të ndjekur një shkollë në Britaninë e Madhe.
“Isha drita e syve të tij, ai bënte gjithçka për mua,” thotë ajo.
Kështu që në vitin 1972, Walther mbërriti në Britani dhe studioi në Goldsmiths College.
Vitin e dytë, u njoh me të shoqin, Bill, me të cilin kanë dy fëmijë.
Në shtëpinë e saj në Londër të zë syri shumë foto të Berlinit.
Walther, tani 59 vjeç, është mësuese, njësoj si mamaja.
Ajo thotë se është e lumtur që u largua nga Berlini Lindor.
“Ishte gjëja më e mirë, ndryshe nuk do vija në Britani, nuk do njihja Bill-in dhe nuk do jetoja në Londër, që është qyteti që dashuroj”.
“Por nëse do qëndroja, do të bëja një jetë të mirë edhe atje. Njerëzit kujdeseshin për njëri- tjetrin dhe jam dakord me parimet e shtetit- akoma edhe sot- përveç spiunimit dhe shtypjes”.
Edhe pse nuk e miraton idenë e shitjes së të burgosurve, ajo e kupton se përse ndodhi.
“Për Gjermaninë Perëndimore ishte një përpjekje humanitare”.
Babai i saj vdiq në vitin 1996, kurse mamaja në vitin 2010.
Pas asaj nate në kufi, marrëdhënia e tyre nuk e mori veten kurrë. “Ajo thjesht nuk mund të vendoste,” thotë Walther. “Kjo i shkatërroi ata”.