.

“Apeli” shtyn seancën për gjyqtarin Artan Lazaj

 

 

 

Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot seancën gjyqësore publike për çështjen që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Artan Lazaj kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Vendimin për gjykim në seancë publike të kësaj çështjeje, trupi gjykues e mori gjatë seancës në dhomë këshillimi të datës 9 janar 2019.

Gjatë seancës së sotme, subjekti i rivlerësimit kërkoi rrëzimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, me pretendimin se shkeljet e rënda procedurale për mosshqyrtimin e kërkesës së tij për përjashtimin e Komisioneres Brunilda Bekteshi, nga një tjetër trup gjykues i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, krijojnë kushtet për pavlefshmëri absolute të vendimit.

Pas dëgjimit të subjektit të rivlerësimit dhe administrimit të provave, trupi gjykues përfundoi shqyrtimin gjyqësor të çështjes dhe ftoi subjektin e rivlerësimit të parashtronte konkluzionet përfundimtare.

Bazuar në kërkesën e subjektit të rivlerësimit, i cili kërkoi kohë për të bërë paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore ditën e hënë, më datë 28.01.2019, ora 11:00.