.

Analisti: Edi, na vidh! Na tall! Na shtyp! Na sundo!


Sociologu dhe analisti Ergys Mërtiri thotë në një shkrim se “Edi Rama po e fiton me policë e xhandarë dialogun e munguar dhe se takimi ne universitetin Aleksander Xhuvani  ishte një shfaqje banale propagande, shoqëruar me humorin bajat të skenarëve nga estrada e ‘Bashkëqeverisjes’.”

Më posht shkrimi i plotë …

Nga Ergys Mërtiri
Edi Rama po e fiton me policë e xhandarë dialogun e munguar.
Shëmtia e radhës ndaloi dje në Elbasan, ku ai vazhdoi me orë dialogun e gjatë e të mërzitshëm me një tufë manekinesh të Universitetit Aleksandër Xhuvani, të përzgjedhur natyrisht me kujdes që të mos jenë ‘ngelësa’, por dëgjues ekselentë e duartrokitës të shkëlqyer.
Paturpësisht, takimi nuk u ndal tek diskutimi i problemeve, por u shndërrua në të vetmen gjë që ai di të bëjë: Në një shfaqje banale propagande, shoqëruar me humorin bajat të skenarëve nga estrada e ‘Bashkëqeverisjes’.
Por përveç kësaj, turpi nuk u kursye as për ta politizuar takimin, madje as të shfrytëzojë rastin për të goditur opozitën. Të vetmit që i tolerohet ta politizojë kauzën ‘jopolitike’ të studentëve është pikërisht Kryeministri i vendit, personi kryesor ndaj të cilit protestohet.
Studentët e dëgjuan me vëmendje ‘kryeoratorin’ e vendit në maratonën e shpërdorimit verbal të radhës, u mahnitën me spektaklin e tij oratorik, qeshën me batutat e tija gajasëse dhe në fund, iu rikthyen mjerimit të përditshëm, të kënaqur që sot ndodhi diçka ndryshe nga rutina e ditëve të tyre pa kuptim.
Për të gjitha këto, ia bejmë hallall çdo krim e poshtërsi që po i bën këtij vendi, çdo padrejtësi e paudhësi që po i bën njerëzve, bashkë me shpresat e fikura përballë një realiteti depresionues. Nesër nuk do jetë çudi kur të shohim njerëz me pankarta në dyert e Kryeministrisë:
Edi, na vidh! Na tall! Na shtyp! Na sundo!