.

Aktori i njohur i ‘Portokallisë’ zbulon të pathënat:Emrin tim të vërtetë e mësova kur isha 19 vjeç

“Sekretet e Portokallisë”, programi që u referohet të fshehtave e të pathënave të spektaklit të humorit, ka zbuluar më shumë për prapaskenat e roleve të aktorëve, disa prej peripecive të tyre, si edhe sekrete të cilat publiku nuk i ka ditur.

Ledio Lako, Kapo apo Ramadani, dy prej roleve me të cilat e identifikojnë të gjithë ka zbuluar edhe një sekret për emrin e tij, të cilin e paska zbuluar shumë vonë.

Ishte Salsano ai që fillimisht zbuloi se Ledio që njohim të gjithë nuk paska qenë emri me të cilin aktori është pagëzuar sapo ka lindur. Pasi Ori Nebijaj e pyeti ç’ishte kjo histori, Ledio rrëfeu: “Po, kur linda unë, ishte e diel dhe ma vuri babai emrin Ediel, por me theks francez, jo kështu siç e thua ti. Erdhi gjyshja dhe tha “në asnjë mënyrë këtë emër”. Dhe nga Ediel, e kthyen Ledio, Ledian”, u shpreh aktori.

Por nuk mbaroi me kaq. Në të vërtetë, vetëm 19 vjeç, ai mësoi cili ishte emri i vërtetë i tij: “Në moshën 19-vjeçare e kam marrë vesh që unë e kisha emrin Ledian, se gjithmonë në dëftesë e kam pasur Ledio. Kur shkoj në gjendje civile, më duhej një certifikatë, dhe u preva. I thashë “ç’është ky emër Ledian?” Kështu e ke, më tha. Me zor e kam ndërruar, e kam bërë Ledio Lako pastaj.”