.

Besart Kadia: Ekipi i ri drejtues i PD-së ende nuk është i qartë, janë qeveri hije apo ministrat e ardhshëm

I ftuar në emisionin “Open” të Eni Vasilit, Besart Kadia u shpreh skeptik mbi ekipin e ri drejtues të PD-së, edhe pse nuk pranon të kritikojë Bashën.

Por a është lajm i mirë për Partinë Demokratike, që në Kryesi apo Sekretariate janë përfshirë edhe kritikët e kryetarit Lulzim Basha?

Besart Kadia, duke risjellë në vëmendje një histori të pak viteve më parë, kur ai vet dilte në mbrojtje të Bashës për shkak të vështirësive të brendshme dhe sfidave ndaj tij, ndërsa zoti Alizoti e kundërshtonte kryetarin e PD-së, tha se fakti që ai është zgjedhur në drejtim nënkupton se ai mund të ketë ndryshuar mendje.

“Për mua Basha nuk ka gabuar asnjëherë sa i përket zgjedhjeve dhe problematikave brenda partisë. Megjithatë, ekipi i ri drejtues i PD-së ende nuk është i qartë: nëse do të jenë nesër ministrat e ardhshëm, apo thjesht do të jenë hije e qeverisë së tanishme. Nëse do të vijnë në qeveri, atëherë do të duhen ndryshime, por tani për tani mendoj se kjo është thjesht qeveri në hije, pasi nëse marrim çështjen e ekonomisë që Basha ka theksuar më së shumti, ata që kanë kontribuar për programin ekonomik kanë mbetur të gjithë jashtë”, tha Kadia.

Por a ishin të zgjedhurit preferenca të Bashës, apo edhe të Këshillit Kombëtar të demokratëve?

“Dua të besoj se ishin edhe të Këshillit, pavarësisht se emrat u publikuan një ditë më parë nga kryetari i PD-së”, u shpreh Kadia.