.

Statistikat/ Anglia nuk njeh rivalë, Barça arkëton 143 milionë euro vetëm nga biletat

UEFA ka publikuar të dhënat dhe detaje të ndryshme nga të gjitha kampionatet europiane dhe më poshtë janë disa nga sekretet dhe statistikat në lidhje me ligat kryesore. Barcelona është skuadra që ka fituar më shumë të ardhura nga shitja e biletave, e ndjekur nga Reali i Madridit. Këta të fundit kanë vendin e parë për pagat e futbollistëve

* Futbolli anglez vazhdon të jetë ai që sjell më shumë të ardhura dhe fitime për skuadrat në Premier Ligë. 549 milionë euro kanë arkëtuar në total skuadrat e Premier Ligës, që ndiqen nga La Liga me 168 milionë euro dhe nga kampionati gjerman me 92 milionë.
* Mançester Junajtid është ekipi që ka pasur më shumë fitime në vitin 2017 në Europë. “Djajtë” mbajnë vendin e parë me 676 milionë euro duke kaluar me 1 milion Realin e Madridit. Barcelona ka arkëtuar 649 milionë. I vetmi ekipi italian në 10-tëshe është Juventusi me 412 mln.
* Barcelona dhe Reali i Madridit kryesojnë në renditjen e skuadrave në Europë për të ardhurat nga shitjet e biletave. Katalanasit kanë fituar 143 milionë euro, ndërsa madrilenët 142 milionë. Ekipi i tretë ishte Junajtid me 120 mln dhe Bajerni me 117.
* Vazhdon sërish dominimi spanjoll për sa u përket pagave të futbollistëve. Reali i Madridit dhe Barcelona shpenzojnë më shumë për pagat e lojtarëve. Në vitin 2017 “galaktikët” kanë paguar 406 milionë euro, ndërsa katalanasit 378 milionë euro. Siti dhe Junajtid ndjekin renditjen.
* Ekipin më të shtrenjtë në botë e ka Mançester Siti. “Qytetarët” kushtojnë 389 milionë euro, ndërsa Reali 366 milionë euro. Surpriza në këtë renditje është Interi, i cili në 2017 vlente 219 milionë euro duke lënë pas edhe Liverpulin dhe Atletikon e Madridit, të cilat kushtonin përkatësisht 198 milionë euro dhe 171 milionë euro.
* Vendet si Polonia, Turqia, Gjermania, Rusia dhe Anglia kanë pasur zhvillim për sa u përket rikonstruksionit të stadiumeve apo ndërtimit të stadiumeve të reja. Por këto vende kanë përfituar nga zhvillimi i Europianëve apo Botërorëve.