.

Jose Mourinho gjen punë… si komentator. Paga e cmendur që do marrë për cdo ndeshje

Jose Mourinho mund të jetë mërzitur për shkarkimin e tij nga Manchester United, por kjo nuk ka të bëjë me anën financiare, pasi portugezi ka përfituar rreth 16 milionë paundë nga prishja e njëanshme e kontratës. Trajneri luzitan nuk ka asnjë pengesë për të marrë drejtimin e një ekipi tjetër, megjithatë ka preferuar të bëjë diçka ndryshe, ose më saktë atë që ka bërë gjatë Botërorit “Rusi 2018”.

55-vjeçari do të jetë në rolin e komentatorit për platformën televizive “beIN Sports”, për të komentuar ndeshjet e Kupës së Azisë dhe ato të Premier League-s.

Mou do të përfitojë 68 mijë euro për ndeshje, por me një kusht: nuk duhet të thotë asnjë fjalë për ish-skuadrën e tij, Manchester United.

Në fakt kjo është klauzole në akordin që ai ka me Manchester United. Atij nuk i lejohet të flasë për motivet e largimit, në rast të kundërt do të humbasë një pjesë të mirë të këtij përfitimi.

Ndërkohë, zërat e merkatos vazhdojnë ta lidhin emrin e Mourinhos me Realin e Madridit, ashtu sikurse po ndodh edhe me Allegrin e Pochettinon. Një pjesë e mirë e bordit drejtues të “Los Blancos” është kundër rikthimit të tij në “Bernabeu”, por në fund, ai që do të vendosë është gjithnjë presidenti Perez.