.

Vetëvendosje shtron 7 pyetje për Ramën:Tregoja gjithë shqiptarëve pse Meta…

Ndërkohë që në vend zien debati pas mosdekretimit te Gent Cakaj si minister i Jashtem, vendim qe ka ashpërsuar përplasjen në distancë mes kryeministrit dhe presidentit Ilir Meta, aktivistja e “Vetevendosjes” Dejona Mihali, i është drejtuar sot me 7 pyetje kreut të qeverisë së Shqipërisë, njëherësh kreu i Partisë Socialiste.

Pjesë e pyetjeve është padyshim edhe letra që analisti Baton Haxhiu i kishte adresuar Metës, duke i kërkuar të mos e shtyjë më tej gabimin për mosdekretimin e të zgjedhurit të Ramës për ministër të Jashtëm.

“Pse je kaq i sigurtë në personazhe të errët si Hashim Thaçi dhe Baton Haxhiu dhe vë në dyshim ministrin dhe anëtarin e kryesisë së PS, z. Ditmir Bushati?”- pyet ajo, kryeministrin Rama.

Ca pyetje kryeministrit dhe kryetarit të partisë socialiste të Shqipërisë:
1. A e di gjë pse 23 anëtarë të kryesisë së PS dhe 73 deputetë të PS + qindra kryetarë degësh, nëndegësh dhe mijëra bashkëpunëtorë profesionalë socialistë nuk dalin të reagojnë por del Baton Haxhiu?

2. Pse je kaq i sigurtë në personazhe të errët si Hashim Thaçi dhe Baton Haxhiu dhe vë në dyshim ministrin dhe anëtarin e kryesisë së PS, z. Ditmir Bushati?

3. Nëse ka diçka të papranueshme në Ministrin e jashtëm aktual a mund t’ia tregosh të gjithë shqiptarëve, me këtë rast dhe socialistëve anëtarë, simpatizantë dhe votues ?

4. Nëse Ilir Meta është i paditur pse na e propozove dhe pastaj votove për President të Republikës së Shqipërisë?

5. Nëse je kundër shkëmbimit të territoreve , e thënë shqip, pra kundër ndarjes së Kosovës sipas planit të Vuçiçit a mund ta thuash këtë prerazi pa ekuivoke?

6. Nëse pretendon se e njeh G. Cakajn atëherë pse nuk ia keni bërë certifikatën e sigurisë nga drejtoria në vartësi tuajën që prej se e kishit këshilltar ?

7. Që kur këshilltarët e tu, mandej zëvendësministra, e të propozuar për ministër të jashtëm si Gent Cakaj lejohen të nxjerrin në emisione televizive të Baton Haxhiut për 1 vit rresht komentet e sqarime nga takimet e tua nga ai me Kancelaren Merkel deri te ato brenda zyrave të këshillit të ministrave e tek kualifikimet e sulmet mbi subjektet politike në Kosovë?