.

Artan Fuga denoncon zgjedhjet pa ligj në Akademi: Mbledhje puçiste, e dinë budalla Ramën, Metën dhe Ruçin

Nga Artan Fuga

Dje, gazeta “Panorama” bëri investigimin shumë profesional dhe gjeti një fakt të trishtuar. Projektligji, që në gjuhën e zakonshme po e thonë si i kundërplagjiaturës, pra, kundër kopjimit në punën shkencore, i përpiluar nga Akademia e Shkencave e Republikës të Shqipërisë, ishte vetë një plagjiaturë në shumë nga nenet e tij. Gjysma e tekstit përmbushte kriteret e asaj që quhet plagjiaturë me plot gojën!

Por, unë nuk do të ndalem këtu.

Ajo që më duket e papërshtatshme fare është se në rrjetet sociale po shihet një profil, që e quan veten “Akademia e Shkencave”, i cili përpiqet e përpëlitet ta marrë nën mbrojtje këtë akt të pashembullt që të mbulon me turp. Nëse vërtet ky profil vjen nga Akademia e Shkencave, atëherë, veç plagjiaturës të djeshme, sot kemi edhe lojën e anonimitetit. Si duket në Akademinë e Shkencave nuk ka specialistë të teorisë të shkencës për të argumentuar me emër e mbiemër rastin e ndodhur. Anonimiteti në krizat e komunikimit është një katastrofë për institucionin.

Mirëpo, ajo që është shqetësim për mua si anëtar i asaj Akademie Shkencash, që është në një konvaleshencë të gjatë dhe nuk po di si të dalë prej saj, e përbën fakti se sot, në datën 10 janar 2019, në ora 11, është lajmëruar gjoja një mbledhje e zakonshme e Asamblesë së Akademisë së Shkencave.

Shkruaj “gjoja” sepse ajo mbledhje jo vetëm duket e jashtëzakonshme, por edhe e pazakontë, madje e pavend dhe përbën një akt kundërinstitucional të dëshpëruar!

Ia shpjegoj lexuesit shkurt.

Një grup prej nja 12 personash, para disa ditësh, kishin firmosur një kërkesë, ku kërkonin të mblidhej Asambleja e Akademisë të Shkencave për të bërë zgjedhjet e reja!!! Dhe menjëherë (sa të ndjeshëm kur iu vjen për shtat!) Këshilli Ekzekutiv, pa një, pa dy, bazuar në këtë letër, vendos të mblidhet Asambleja sot, pra, në datën 10 janar 2019!

Harrojnë se në institucionet publike nuk mund të sillesh si në han pa Zot, pa rregulla, pa dyer e pa dritare!

E para, sepse, sipas statutit, mbledhjen e Asamblesë në Akademinë e Shkencave mund ta thërrasin edhe 10 anëtarë të saj. Por, amà ata duhet të jenë anëtarë të kësaj Asambleje dhe jo të kenë qenë të tillë. Nga 12 firmëtarët, së paku 6 prej tyre kanë mbushur moshën 75 vjeç dhe disa edhe moshën e respektuar 80 vjeç. Si duket, kanë harruar se nuk mund të firmosin më për të bërë ose mos bërë mbledhje Asambleje! Edhe unë ndonjëherë në gjumë harroj se nuk jam më në klasën e 6-të fillore dhe nis e trembem në ëndërr të keqe sepse më duket se nuk kam bërë detyrat e aritmetikës!

E dyta, Këshilli Ekzekutiv, ende pa u tharë firmat e nismëtarëve, thërret mbledhjen me një rend dite, që i ngjan një turbullire semantike, por që nënkupton se do të na caktokërka kjo mbledhje kryerjen brenda shkurtit të zgjedhjeve për Akademinë e Shkencave, pra, caktimin e Komisionit të Votimeve, kriteret e kandidatëve, me një fjalë gjithçka! Me këtë shkresë të Këshillit Ekzekutiv, ku spikat me ndriçim firma e Sekretarit Shkencor z. Vasil Tole harrohet se statuti i Asamblesë nuk i jep në asnjë germe të tij të drejtë Këshillit në fjalë të thërrasë mbledhjen e Asamblesë. Është po aq njësoj sa të më teket mua tani, që me një shkresë të thërras mbledhjen e Senatit amerikan, ose të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara! Thua me vete, mirë të 12 a 13-ët harrojnë, po këta të Këshillit ç’patën!

Një mungesë përgjegjësie dhe edukate institucionale. Kanë harruar se vendosin kolegët e tyre akademikë në pozitë të vështirë, duke i thirrur në një mbledhje antiinstitucionale, pra, të pavlefshme, nul. Dhe për çfarë? Jo thjesht për të kënduar Himnin e Flamurit disa herë me radhë, por për të caktuar datën e zgjedhjeve!!!

Pra, kërkojnë të zgjasin duart drejt një pushteti në mënyrë të paligjshme!!! Sa mirë që në Asamble nuk ka helenistë sepse, që nga Aristoteli, kjo do të quhet tentativë për ta sunduar Akademinë e Shkencave në formën e një tiranie! Tirani merr pushtetin me një grusht shteti në pallat!

Apo nuk janë edhe rojat e Gardës aty afër që vërtet ruajnë Kuvendin, se Akademisë nuk ka ç’i ruan në këtë gjendje prej të sëmuri ku është katandisur, por përsëri rojat mund që ndokujt t’i krijojnë dëshirën për një puç në një… gotë me ujë!

Zgjedhjet e kryesisë!!! Po aty e keni mendjen, o të uruar! Dhe kur sheh listën e firmëtarëve, krahas faktit se janë njerëz shumë të nderuar në punët që kanë bërë ose nuk kanë bërë, sheh se ka midis tyre një “vullnet për pushtet”, sikurse do të thoshte Frederik Niçja, që nuk u është ndarë për gjatë gjithë jetës. Gjithë jetën lidhur pas kolltukut të pushtetit! Ka drejtues të Akademisë të Shkencave të kohës së Diktaturës së Proletariatit dhe që nuk shqiten nga nostalgjia e punëve të mira të bëra për dekada me radhë si drejtues. Ka drejtues ish-institutesh. Ka ish-drejtues të Akademisë së Shkencave në demokracinë e masave, që prej kohësh kanë bërë rokada me njëri-tjetrin. Ka drejtues ekzekutivë sot, që janë mësuar me pushtet. Por, ka edhe nëpunës në shërbim të personaliteteve me pushtet dhe që edhe ata i ndikon aroma e pushtetit, jo për ta shërbyer, por për t’i shërbyer, e pastaj si të gjithë njerëzit, plot të tjerë!

Po te pushteti e keni mendjen, o akademikë!

Thërrisni rojat e Gardës republikane në oborr dhe bëni një grusht pallati, merrni pushtetin, pastaj shtrihuni në divanet e zyrave dhe të korridorit, survejuar me kamera, e shkrihemi së qeshuri me lojën tonë!

Akademia e Shkencave, po qe se nuk bëjmë humor nga e keqja që na ka zënë, qysh me vendimin e 22 dhjetorit të vitit të largët 2017, e më pas, është shprehur se do të reformohet. E pranoi reformimin kur z. Edi Rama deklaroi, seriozisht, a me shakà, se do t’u priste koromanen, nëse nuk zgjoheshin nga letargjia! Por, e pranuan! Se kush po pyet se çfarë mendojnë brenda tyre! Pra, ka vendime që vendosin edhe axhendën e reformimit, pra, një kuadër ligjor, pastaj një statut, pastaj veprime të tjera dhe në fund zgjedhjet!

Në fillim buajt, pastaj qerrja!

Firmëtarët e mbushur me “vullnet për pushtet” si edhe anëtarët e Këshillit Ekzekutiv si Vasil Tole, Salvator Bushati, kanë harruar se anëtarët e Asamblesë kanë mbetur një grusht, shumë shpejt as gjysma e atyre që do të duhej të ishin!

Çfarë mendojnë ata? Se ka aq budallenj në Këshillin e Ministrave, në Komisionin Parlamentar që mbulon edhe shkencën, në Presidencë, në kryesinë e Kuvendit që do të pranonin që kryesia e Akademisë së Shkencave të zgjidhej me statutin e vjetër, sipas kritereve të vjetra, me platforma të vjetra, me njerëz të kufizuar në numër, një pjesë në moshë dhe pastaj të bëhej reformimi!!!

Mos e dinë gjë budallenj Edi Ramën, Ilir Metën, Gramoz Ruçin, Albana Vokshin e të tjerë!!!

Radha është ajo që ka vendosur Asambleja. Në fillim ligji reformues, pastaj statuti, pastaj kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve të rinj, o sa shumë do të mbushin radhët e Asamblesë(!) dhe vetëm pastaj zgjedhjet!

Përndryshe, gjithçka përmbyllet me farsë!

Unë i shoh keq akademikët sot në një mbledhje jo vetëm të organizuar në formë puçiste, por edhe me një lloj llogarie që nuk e honeps dot! Kryeministri – shkruajnë në thirrjen e tyre – qenka shprehur se reformimi është në rrugë të mbarë! Ku e pyetën ata Kryeministrin, nëse duhet të bëjnë zgjedhjet përpara sesa të kryhen hapat e tjera të reformimit!!! Firmëtarët e “vullnetit për pushtet” nuk tuten nga asgjë! Kanë një llogari, mendoj! Tani Tirana është në protesta. Pushteti e ka mendjen gjetiu. Mos vallë dikujt i vajti mendja e leshtë te ideja: Jemi që jemi në rrëmujë, a nuk e pushtojmë Akademinë e Shkencave pa pyetur shumë as për statut, as për rregulla, as për reformim, as për vendime mbledhjesh të mëparshme?

U bë deti kos!

Kthehemi edhe njëherë te akti i shëmtuar i plagjiaturës, që u shoqërua më pas me gjestin e keq të veprimit anonim.

Plagjiatura, që ka zbuluar gazeta “Panorama”, nuk është veçse maja e ajsbergut!

Ka gjëra shumë më të thella.

Anonimsi i Akademisë së Shkencave përpëlitet duke shkruar që në dokumentin shoqërues të projektligjit dhe në tekstin e tij nuk kanë bërë tjetër veçse kanë kthyer një kod etike në një ligj!!!

Kur kam lexuar këtë, kam thënë: si nuk ka pasur dikush t’i thotë brenda grupit, që drejtonte, për ta formuluar këtë projektligj z. Skënder Gjinushi: E dini, që të kthesh një Kod Etik në një ligj, do të thotë, semantikisht, të kalosh një normë etike në një normë ligjore? Pyetja e parë që do të kërkonte zgjidhje do të ishte pikërisht: A mund të kthehet një normë etike në një normë ligjore kështu si “kthim”? Si ta kthesh një automjet nga me karburant në me gaz!

E quajnë Kod Etike, pa le! Hajdeni, ju lutem, në një orë leksioni në lëndën e Etikës dhe do të kuptoni që atje ku një rregull etik parashikon dënime materiale, që vijnë nga shteti dhe njihen nga gjykata, atje nuk ka më Kod Etike, por kemi një strukturë ligjore!

Dhe Akademia e Shkencave që bëka “kthimet” e kodeve etike në norma ligjore, i jepka edhe vetes të drejtën që në Komisionin e Lartë të Etikës të ketë 3 anëtarë, pra, pothuajse shumicën!!! Çfarë konflikti interesi! Po plagjiaturën e akademikëve kush do ta vlerësojë?

Dhe mbi të gjitha, pasi u bën të gjitha “kthimet” dhe “arnimet” e një Kodi Etike, “qepur” me arna shqiptare, e konsiderojnë si një mekanizëm “vetërregullues”!!!

Kush kupton nga “mekanizmat vetërregullues” që Kodi Europian i Etikës i ka paraqitur shkëlqyeshëm, “kthyer” dhe “arnuar” për faqe të zezë nga Akademia e Shkencave, do të tronditej. Edhe ligj, pra, me vulën e shtetit, edhe mekanizëm vetërregullues!

Edhe me një instancë autoritare të formuar nga Akademia, Ministria e ndonjë noter, edhe mekanizëm vetërregullues!

Edhe me gjoba të rënda si tituj ekzekutivë, edhe mekanizëm vetërregullues.

Po nëse kërkohen te Kodi Europian i Etikës në kërkimin shkencor (ta quajmë shkurt) komisionet e përbashkëta Ministri-Akademi Shkencash, gjobat dhe sanksionet e rënda të përcaktuara nga një komision i njëanshëm, penalizimi i jurive të mbrojtjeve të doktoraturave etj., etj., që janë në versionin shqiptar, sigurisht që nuk do të gjenden si te ne. Sepse ai Kod është vërtet një mekanizëm vetërregullues. Kurse dokumenti i Akademisë të Shkencave – një projektligj. E duke qenë projektligj, nuk mund të jetë edhe një Kod Etik!

Sepse, o zotërinj, një LIGJ është një ligj dhe nuk mund të jetë edhe një KOD ETIK.

Është Kod Etik, sa edhe shpulla e një babai mund të quhet këshillim kur i jepet djalit të vet!

E duke qenë LIGJ, nuk mund të jetë MEKANIZËM VETËRREGULLUES!

Por, dialektika e këtyre koncepteve është shumë larg Akademisë sonë të Shkencave!