.

Mos na e vrisni të ardhmen o prindër të mirë

 

Nga Agred Tafaj

Ne, studentët protestues, me naivitetin, sinqeritetin, pastërtinë, guximin, ka ditë që po besojmë se kemi sjellë risi në shoqërinë shqiptare. Atë, të cilën ju, prindërit tanë, nuk e keni menduar apo imagjinuar. Për këtë ju ndodheni para një të papriture të re, që për shumicën nga ju përbën shpresë, për disa të tjerë anomali, për disa të tjerë frikë e për disa të tjerë tmerr. Ne nuk arrijmë të kuptojmë se përse të kesh një hapësirë toke dhe dielli, një hapësirë shoqërore ku ata që s’duan të jenë pjesë e politikës të mund të shprehen lirisht. Përse politika na paska zënë çdo milimetër hapësirë, çdo burim uji e çdo frymëmarrje. Përse për ne nuk paska një fushë ku mund të shprehemi, protestojmë e kërkojmë të drejtat tona pa qenë në fushën e politikës apo pjesë e saj?

Ndoshta ne jemi naivë, por përsëri për shkak të vrullit tonë rinor, ngulim këmbë të na i pranojnë gjetjet që kemi bërë deri tashmë, ashtu siç i kemi. Nuk duam të besojmë se çdo pikë ujë është e kontaminuar, se dhe ajri është i tillë. Ca më pak duam të besojmë se çdo pëllëmbë toke është e minuar, ku nga momenti në moment mund të shpërthejnë dhe të hedhin në erë të gjithë masën tonë, masën e protestuesve.

O prindër të mirë, e dimë që ju na doni, ju bëni sakrifica sublime, që hiqni bukën e gojës, pakësoni ilaçet, harroni çdo çlodhje e relaks që vetëm ne të kemi një të ardhme të sigurt. Prindër të mirë, ju jeni shumica.

Ju jeni ne dhe ne jemi ju. Por kemi dhe disa pakica prindërish, disa prej të cilëve i kanë përmbushur kërkesat e disave nga ne duke i bërë ekselentë pa e merituar atë, duke na dhënë shpërblime nga taksat tuaja. Ata vërtet na duan ne, këtë pjesë studentësh, por gabojnë me zgjidhjen e tyre, me egoizmin ndaj kauzës sonë.

Ne mesin tuaj ka dhe nga ata që kanë garantuar të ardhmen e brezave të fëmijëve të tyre me taksat tuaja, ka dhe nga ata që ushqehen dhe ushqejnë fëmijët e tyre duke vënë fytyrën e dinjitetin në shërbim të atyre që kanë siguruar brezat me taksat tuaja.

Ju jeni shumicë, por për fat të keq, mesa duket do të duhet kohë që të na kuptoni. Kur ta kuptoni ju, ndoshta minat e politikës do kenë shpërthyer, duke na hedhur në erë të drejtat dhe ëndrrat tona, uji dhe ajri i kontaminuar do na ketë bllokuar frymëmarrjen e lirisë.

Prandaj, o prindër intelektualë, me ndërgjegje të shëndoshë njerëzore e kombëtare, që nuk i trembeni asnjë lloj vetingu, mblidhni forcat dhe kurajën për të na mbështetur në kauzën tonë. Edhe ata që kanë frikë e tmerr nga lëvizja jonë, që po përpiqen me çdo kusht të na ngjyrosin, pavarësisht nga dhimbjet e momentit të parë, do dalin të fituar nga kjo kauzë. Ajo është kauza e dijes që ka ndriçuar popujt e ka rritur kombet. Ne shqiptarëve, historia ka vazhduar e vijon të na përballojë me sfida që, për fat të keq, në shumicën e rasteve kanë qenë thelbësore. Që në çdo shekull apo prag ndryshimesh, të përballemi me të parët apo pronarët e vendit dhe shoqërisë. Prandaj, ju o prindër, pranojeni risinë tonë për hapësirën në tokë, në diell e në ajër, pa parti politike, pa të parë e pronarë, mbi të drejtën dhe jetën tonë.

*Student i Fakultetit të Drejtësisë