.

 “Çfarë pritet nga Basha për ekipin e ri, leksioni nga qeveria e re që propozoi Rama”

 

 

Nga AGRON GJEKMARKAJ

Historia e ujit të ftohtë e të ngrohtë me gomarin po përsëritet çdo ditë, pas çdo fjale apo gjesti të Lulzim Bashës! Deri në një cak, fajtor për këtë është vetë. Diçka edhe e ka pranuar. Ai dhe PD kanë paguar për gabimet një kosto të kripur. Peshë e këtij haraçi mund t’i kërrusë ende. Gjithsesi, herë pas here atyre, të cilët të lëbyrur nga propaganda besojnë se vendin po e qeveris opozita dhe Lulzim Basha, u duhet dhënë një ndihmë. U duhet thënë e vërteta. Po qeveris Edi Rama me zëvendësministrat e vet dhe qerren, dikur gazmorë të Rilindjes, ngarkuar me tullumbace tani me skandale e zyrna. Korrupsionin, kanabisin e kokainën, koncesionet në mjekësi me tre P-të e mëdha, rrugët me 20 milionë euro për km nuk i ka bërë Basha dhe opozita, as shtëpitë tek Unaza e Re dhe Teatrin Kombëtar nuk po i prishin ata.

Gjatë muajit dhjetor një protestë e pazakontë e studentëve të universiteteve publike ndryshoi trajektoren e ngjarjeve. Ajo, si shuplakën ashtu edhe grushtin i pati të dyja për qeverinë. Lulzim Basha ndenji përgjithësisht larg saj, e bëri mirë pa munguar në mbështetje. Disa i thonë e fike ti! Akuzë e pamerituar.

Vetëm në Shqipëri ka një traditë të vjedhjes së kauzave dhe përdorimit të tyre. Në vendet e tjera kategoritë sociale bëjnë betejat e veta dhe me pas, sipas qëllimeve të veta, opozita i mbështet në Parlament e media ose jo. Ky nuk është rasti ynë.

Shoqëria jonë brenda vetes po prodhon një përbuzje të madhe ndaj klasës politike, por ende s’e ka gjetur formulën si ta konkretizojë atë në akt. Në këtë kontekst nuk mbetet jashtë as opozita (që dikur ishte pushtet)!

Protesta studentore u zhvillua poshtë pallatit të Kryeministrisë dhe me gjasë mund të vazhdojë prapë aty në janar dhe jo nën selinë e PD-së. Ajo ishte dhe mbetet një revoltë ndaj pushtetit. Miopi e madhe do të ishte mosleximi i saj, edhe nga opozita e sidomos nga Basha.

Ata djem e vajza kërkojnë ndryshim! Megjithëse zemërata e tyre e ka në fokus Edi Ramën dhe qeverinë e tij, ai po tenton të identifikohet me të paçka se hipokrizi banale ngjan. Ai po u thotë atyre do ju udhëheq unë në protestë kundër të gjithëve.

Gjasat që t’ia dalë janë të vogla, por nëse opozita nuk reagon, një mundësi e ka. Muret e rrethit vicioz do trasheshin edhe më. Materiali do bëhej kala. Ata mijëra në bulevard kanë kuptuar që nëse nuk je djali apo vajza e filan politikani, zyrtari a biznesmeni në këtë vend, e ke të pamundur karrierën, përfaqësimin, mirëqenien, dinjitetin dhe sigurinë. Të gjitha këto janë vënë në pikëpyetje nga sistemi aktual politik dhe partitë kryesore në vend. Tribalizmi i tyre dhe shndërrimi në asete private nga publike, që duhej të ishin, kanë prodhuar këtë gjendje. Tetë pikat, tejet realiste, në të njëjtën kohë janë edhe simbolike. Akti i tejkalon ato. Nëse studentët shkallmuan arrogancën e pushtetit për disa ditë, Basha duhet të braktisë arrogancën e mosndryshimit.

Lulit askush nuk ia ka me të keq kur ja kërkojnë këtë. Alternativë nuk mund të bëhesh vetëm me fjalime, por kryesisht me akte dhe njerëz cilësorë. Në kompozimin e Këshillit të ri Kombëtar të PD-së vihen re disa shenja pozitive me përfshirjen e emrave si Tomorr Alizoti, Gazmend Bardhi dhe Gazmend Oketa! Siç thuhet, Basha ka tentuar edhe të tjerë personazhe të njohur të mendimit të djathtë që t’i bashkëngjiten atij organizmi, por që nuk kanë pranuar për arsyet e veta. Gjesti në vetvete është pozitiv.

Një tentativë e ndrojtur për ndryshim vihet re. Por problemi është se nuk duhet të jetë e ndrojtur, por e guximshme. Një problem i pazgjidhur i tij personal mbetet çështja e bashkimit të partisë me emra si Topalli, Patozi, Ruli, Imami etj.. Me ta është konsumuar një ndarje publike qysh nga përjashtimi nga listat e PD së për deputetë në zgjedhjet e qershorit 2017. Secili prej tyre, paçka se PD-në e sheh si shtëpinë e vet politik, me gjasë nuk i beson Bashës, i druhet përdorimit dhe një mënjanimi të ri në kushte të tjera. Lulzim Basha duhet të japë garanci publike për ta me emra të përveçëm, nëse e dëshiron vërtet bashkimin. Nëse ata refuzojnë, mbetet zgjedhja e tyre. Pas kësaj, fillon tejkalimi i së drejtës. Secili ndjek lirinë dhe fatin e vet. Nuk ka logjikë t’i thuash Bashës ti ke gabuar, por ne nuk ta japim më shansin të korrigjohesh. Shqiptarët kanë disa kanune, në jug dhe në veri. Në to parashikohet edhe falja e gjakut e jo më moskandidimi në lista.

Personat me precedentë penale nuk i ka bërë Basha deputetë e as kryetarë bashkish, por krahasimi që në grupin e tij nuk ka kriminelë nuk është bindës. Nuk është kjo masa etalon. Nuk mjafton të mos qenurit kriminel për të zbukuruar CV-në.

Mos mund të jesh kriminel, por je kopuk, çibuk, teveqel, dudum, tutkun, lac, llaç. Rënia në krahasime të tilla është tregues i krizës etike që na ka përfshirë. Qeveria e re, që Edi Rama i ka propozuar Presidentit për dekretim duhet të jetë një tjetër leksion për Lulzim Bashën. Ai, nëse është i zoti dhe ka besë në vete, duhet të premtojë se kurrë nuk mund t’i bëjë vendit të tillë shaka kaq makabre, duke ndërtuar një profil të qeverisë hije përmes paktit publik. Premtimet bëhen lehtë, por mbahen vështirë sepse modeli i qeverisë Rama me sahanlëpirës e përdrellucë anonimë është joshës për sundim personal. Mbi të gjitha, Basha ka detyrën etike e politike për ta penguar e rrëzuar një frankenshtajn kësodore siç është kjo hingëllimë e re publike e Kryeministrit. Që të gjesh aleat për të shkatërruar diçka, njëkohshëm duhet të kesh në vitrinë ofertën e besueshme me fytyra e me ide. Çdo gjykim negativ i sponsorizuar nga kundërshtarët politikë mbi Lulzim Bashën nuk është i mjaftueshëm për të justifikuar ato që ka bërë dhe bën Edi Rama dhe qeveria e tij. Basha duhet t’i bindë qytetarët se mund t’i qeverisë, duke lexuar shqetësimet e tyre të artikuluara së fundi nga studentët.

Lindin ide të tilla, meqenëse PD është në prag ristrukturimi. Një nga idetë më servile, që prej dekadash qarkullon në Tiranë, është që Lideri i ri do bëjë stafin e tij ose ekipin, çka nënkupton përvetësimin e partisë. Këtë bëri Edi Rama me socialistët dhe Rilindjen. Ua mori të ngratave dhe tani zërat, që duan ta shpëtojnë, i thonë kthehu te socialistët. Po kështu e këshillojnë Bashën. Rinovimi është proces dialektik në politikë, por jo në mënyrë mekanike dhe artificiale. Klonimi i figurave, përgjithësisht, kudo ka rezultuar si dështim. Disa prej tyre, edhe në PD, shfaqin uri të madhe për poste.

Në  janar, PD ka lajmëruar se do ndërtojë hierarkinë e re. Mbetet për t’u parë sesa Basha do ta reflektojë vëmendjen dhe nevojën e shoqërisë për ndryshim themelor. Tek ai, nënkryetarët, Sekretari i Përgjithshëm, ata të departamenteve përvijohet qeveria hije. Nëse Basha bën shaka, po me shaka do të merret, nëse dëshmon seriozitet, ai do t’i kthehet. Grupet intelektuale, individët, organizmat e ndryshëm, të cilët partneritetin me opozitën e shohin si mundësi për t’i dhënë vendit një shpresë apo një rrugëdalje seriozitetin e kërkojnë si minimum besimi. Fatmirësisht, në një vend të vogël si i yni, pak a shumë, secili njihet.

Një xhuxhi është e pamundur t’i thuash i gjatë. Një të gjati, jo domosdoshmërisht, je gjigand. Edi Ramës, e pamundur t’i thuash Kryeministër i mirë. Opozitës, që ke ndryshuar sa duhet. Lulzim Bashës, që bëhesh kryeministror duke pritur. Mund të bëhesh. Ka vetëm një rrugë, duke e merituar, ditë pas dite, një akt e një fjalë, një fjalë e një akt dhe njerëzit e duhur në vendet që i presin. Kjo pritet nga Lulzim Basha, nëse ai ka pritshmëri nga vetja.