.

“A do t’ia ndaloni fëmijës tuaj të shkojë në protestë?” Edmond Tupe letër të hapur ish-ministres

Nga Edmond Tupja

E nderuar zonja ish zv.kryeministre, Të nderuara zonja ish-ministre,Të nderuara zonja ministre të të sapoemëruara.

Ju kërkoj ndjesë që nuk ju njoh të tëra personalisht e një për një, por kjo nuk më pengon e as ma heq të drejtën morale që t’ju shkruaj publikisht në këtë prag viti të ri, t’ju shkruaj jo për t’ju uruar juve dhe familjeve tuaja “Gëzuar Vitin e Ri 2019”, çka do ta kisha bërë me gjithë qejf sikur të mos ishit ish-pjesë apo pjesë e qeverisë, por thjesht e bukur shoqet, mikeshat, fqinjat, ish-studentet apo ishkoleget e mia të dashura të papërlyera me politikën tonë në pikë të hallit.

Ky dhjetor qe për shumë prej nesh i veçantë, ndoshta, në njëfarë mase, edhe për ju. Krejt i veçantë sidomos, kryesisht e pashmangësisht për ato familje shqiptare, fëmijët e të cilave – tashmë në moshë madhore – studiojnë universiteteve të vendit. Krejt i veçantë, sepse studentët tanë u ngritën në një protestë masive për të drejtat e tyre të ligjshme, që qeveria në të cilën ju bënit pjesë deri pardje ose bëni pjesë qysh pardje, ua ka shkelur në mënyrë flagrante. Krejt i veçantë, sepse në protestën e tyre studentët nuk pranuan asnjë “sponsorizim” nga politika, asnjë instrumentalizim nga partitë politike. Këta studentë, vajza e djem, me një kurajë qytetare për t’u pasur zili, e zgjuan popullin e rraskapitur shqiptar nga plogështia që e kishte kapluar, i treguan atij se brezi i ri di të protestojë jashtë çdo ndikimi apo orientimi sado të rafinuar ose të nëndheshëm nga ana e partive tradicionale të gjithë spektrit politik shqiptar.

Në këtë kuadër, ju pyes, të nderuara zonja (ish-)ministre, që me shumë gjasë keni fëmijë, të cilët ndoshta studiojnë në universitetet tona, në mos, me siguri, jashtë shtetit, në universitete europiane apo amerikane nga më të famshmet, ju pyes, pra, a i keni drejtuar vallë ndonjëherë ndërgjegjes suaj si nëna, gjatë protestës studentore të këtij muaji, ndonjë pyetje lidhur pikërisht me këtë protestë? Ndonjë pyetje si, për shembull, “Po sikur ime bijë ose im bir të kishte qenë studente apo student në Shqipëri e të kishte marrë pjesë në protestën në fjalë, çfarë qëndrimi do të kisha mbajtur unë sikur të mos kisha qenë ministre dhe sikur, për t’i paguar asaj ose atij studimet, të kisha qenë e detyruar të shtrëngoja rripin duke kursyer në të veshur, në të ngrënë, në të ngrohur etj., etj.?”. Ndonjë pyetje si, për shembull, “A duhej të kisha dalë edhe unë përkrah atyre mijëra studenteve e studentëve karshi ministrisë së Arsimit apo karshi Kryeministrisë për t’i mbështetur ata në kërkesat e tyre të drejta?” Po nëse më 7 janar, kur studentët të rifillojnë (siç kanë premtuar) protestën e tyre, vajzës apo djalit tuaj që studion jashtë shtetit, por që ka ardhur në shtëpi të kalojë me ju e më të atin festat e fundvitit, i shkrep papritmas të bashkohet me simotrat apo sivëllezërit studentë për t’u dëshmuar solidaritetin e vet, ju, duke qenë (ish-)ministre, a do t’ia ndaloni pjesëmarrjen në protestë? Po nëse më 7 janar, pavarësisht se, me shumë gjasë, ju do të bëni çmos që ta bindni të mos dalë nga shtëpia, çfarë veprimi do të ndërmerrni në qoftë se ajo ose ai ju kundërshton dhe vendos të shkojë të protestojë përkrah të tjerëve?

Do ta mbyllni brenda dhe do të hidhni çelësin e derës së jashtme në WC? Apo në çast do ta gëlltisni atë çelës? Apo do t’i telefononi urgjencës psikiatrike, duke pretenduar se vajza apo djali juaj nuk është në rregull nga trutë? Oh, mos u trembni, të nderuara zonja (ish-)ministre, ky skenar familjar tragjikomik nuk ka as më të voglën mundësi të bëhet realitet në gjirin e ngrohtë të familjeve tuaja që jetonin ose jetojnë si veshka në mes të dhjamit qeveritar, duke shijuar të gjitha të mirat materiale e kulturore në kushte vërtet optimale. Sidoqoftë, mendohuni mirë, keni kohë deri më 7 janar.

Që ditën e parë të protestës studentore, një pyetje më vjen rrotull në mendje, të nderuara zonja (ish-)ministre, një pyetje që po më përvëlon buzët: Çfarë jeni ju, para së gjithash, (ish-)ministre, pra, (ish-)pjesë e qeverisë Rama 1 ose/dhe 2 (ndoshta nesër edhe Rama 3, 4 e 5), apo nëna, pra, femra që keni sjellë në jetë fëmijët tuaj? Çfarë ka më shumë rëndësi për ju, (ish-)ministërllëku apo imazhi juaj sot e nesër kur pikërisht fëmijët tuaj do t’ju gjykojnë, sidomos nëse ju e keni shastisur, trallisur e trullosur ndërgjegjen tuaj si pasojë e pasionit tuaj për megadrogën e quajtur pushtet dhe e vartësisë së frikshme që ajo krijon?

Si përfundim, e vetmja rrugë që duhet të ndiqni për t’i dhënë përgjigjen e duhur pyetjes sime të mësipërme – por kjo kërkon një guxim të madh intelektual, madje shpirtëror –, është që ju, ministret e sapoemëruara, të veproni siç ia kërkova unë, brenda caqeve të mirësjelljes qytetare, sigurisht, ish-ministres Lindita Nikolla gjatë debatit të drejtuar para ca kohësh nga gazetarja e njohur Eni Vasili: Jepni menjëherë dorëheqjen dhe bashkohuni pa vonuar me protestën e studentëve, bashkohuni gjithashtu me protestat e naftëtarëve, e biznesit të vogël, e banorëve të Unazës së Re dhe së fundi me atë të diasporës, mos ndiqni politikën e strucit, madje edhe më keq, atë të miut (ah, vëreni çfarë koincidence: fjala “mi” qenka pjesë përbërëse e fjalës “ministër”), që të paktën të mbaheni mend si zonja me njëfarë kuraje e ndonjë parim të pavarur. Nga ana tjetër, juve, ish-ministreve, si edhe ishzv.kryeministres, ju këshilloj të bëni publikisht një mea culpa të sinqertë, duke ju lënë të lira të zgjidhni median tuaj të parapëlqyer, klasike apo elektronike qoftë ajo.

Duke pritur që ju të ndiqni këshillat që sapo guxova t’ju jap me modestinë më të madhe, ju lutem të besoni në sinqeritetin e kësaj letre të hapur, si edhe në vërtetësinë e respektit që ende ushqej për personin tuaj, pavarësisht alergjisë sime të pashërueshme ndaj pushtetarëve të sotëm.