.

Berisha paralajmëroi rritjen e kostove për çdo autostradë, ndryshon vlera e PPP edhe për Thumanë-Kashar

Sot është raportuar në media se kostoja e autostradës Thumanë-Kashar është rritur në 56.3 miliardë lekë (440 mln euro) ose 22% më e lartë sesa ishte parashikuar në programin buxhetor. Kjo do të thotë se një kilometër e kësaj autostrade do kushtojë 22 milionë euro.

Mbrëmë, në emisionin ‘A’ në News 24, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se qeveria e Edi Ramës i ka çuar kostot e autostradave në Shqipëri në 20 milionë euro për kilometër. Ndonëse nuk përmendi konkretisht këtë aks rrugor, Berisha theksoi se i njëjti çmim po aplikohet për të gjitha autostradat.

“Të çosh çmimet e autostradave në 20 milionë euro, është krimi më i shëmtuar që mund të bësh. Kjo nuk është vetëm në këtë autostradë (Unaza e Re), por në të gjitha rrugët e Shqipërisë. Në rrugën Delvinë-Kardhiq e ka rritur me 5 herë çmimin krahasuar me atë që ishte. Merr Rrugën e Arbrit dhe çdo lloj ndërtimi në Shqipëri. Ky (Edi Rama) ka instaluar megavjedhjen më gjigante që ekziston në Europë dhe në botë”, deklaroi Berisha.