.

Bankat, koha për vetting

Probleme me rrugët e qarkullimit dhe kosto të larta dhe jo transparente për qytetarët

Një raport i Trupit të Këshillit të Europës për pastrimin e parave për Shqipërinë, i cili u publikua javën e shkuar i kërkoi autoriteteve shqiptare që të mbikqyrin më mirë sistemin banker në vend për të ndaluar rrugët e qarkullimit të aseteve të krimit të organizuar dhe korrupsionin.

Që prej vitit 2014, kur ndodhi vrasja e bankierit Artan Santo, ndërkombëtarët kanë kërkuar masa më të forta nga ana e Bankës Qendrore dhe të Parlamentit që të mbyllë shtigjeve të fondeve të zeza që mund të hyjnë në rrjetet e bankave të nivelit të dytë.

Ndërkaq ka qenë Kreu i opozitës, Lulzim Basha që disa muaj më parë akuzoi bankat se nëpërmjet financimit të PPP-ve po fusin në kanalet financiare “para të zeza”.

Por alarmi nuk mjaftoi me kaq; Monika Kryemadhi, kryetare e LSI-së, akuzoi kryeministrin Edi Rama, se nëpërmjet bashkëshortes së tij që operon në një bankë private po qarkullon paratë e korrupsionit.

Megjithatë, sistemi bankar në Shqipëri nuk ka vetëm brishtësi në aspektin e sigurisë.

Bankat e nivelit të dytë, edhe pse kanë normë të lartë fitimi, ata gjithsesi mbajnë komisione dhe interesa të larta për shërbimeve ndaj qytetarëve.

Tregut shqiptar, me ikjen e dy bankave greke si NBG-ja dhe Tirana Bank i janë shtuar edhe një operator shqiptaro-amerikan si ABI dhe grupi Balfin i Samir Manes që ka blerë Tirana Bank.

Ndërkaq, operatorët e mëdhenj si Raiffaisen, BKT dhe Alfa Bank janë prej 20 vjetësh në pozita gati monopoliste që nga viti në vit kanë rritur tarifat e shërbimeve të tyre pa lehtësuar gjë.

Kështu shërbimi për tu pajisur me karta debiti është rritur me 30%, ndërkohë që edhe nëse tërheq para në arkë do të duhet të paguash 100 lek komision.

Është e çuditshme se ky komision nuk merret në shuma të mëdha parash, duke diskriminuar kështu më shumë qytetarët dhe favorizuar operatorët e mëdhenj ekonomikë.

Por problem më i thellë janë kontratat e kredive, të cilat janë jo transparente dhe nuk bëhen në marrëdhënie me qytetarin.

Selami Xhepa, zëvendës Rektor për Shkencën dhe Metodologjinë në Universitetin Europian të Tiranës dhe studiues i ekonomisë në vite, deklaronte në një intervistë për BIRN se rasti ndryshimit pa dëshirën e klientit të kredive të lidhura me Euribor-in është shembulli tipik sesi bankat janë të paafta për të përballuar risqe operacionale, duke i veshur kostot konsumatorëve.

“Është një paaftësi për të përballuar risqe operacionale sepse edhe vetë bankat kanë një risk operacional pasi kanë grumbulluar depozita në një monedhë të caktuar, e cila ka normë të caktuar interesi dhe në kohë të destabilizimeve të mëdha apo luhatjeve shumë të mëdha në tregjet financiare ato rrezikojnë të humbin,” tha Xhepa.

Por për të ky lloj biznesi nuk është i ndershëm kur kontratat ndryshohen në formë detyruese.

“Kjo nuk është një praktikë normale për një biznes bankar. Normat e interesit kanë ligjësinë e tyre që është norma e interesit për koston e parasë në momentin që bëhet disbursimi, plus marzhin e fitimit të bankës nga veprimtaria e subjektit që kreditohet.” shtoi Xhepa.

Ai shtoi se në këtë fenomen duhet të kishte ndërhyrë Banka e Shqipërisë.

“Vetë banka qendrore duhet të ushtrojë presion dhe kontroll për mënyrën se si sistemi bankar i menaxhon rreziqet nga kredia, normat e interesit , kursi i këmbimit,”deklaroi Xhepa për BIRN.

Norma ndërbankare Europiane, Euribor, është një normë interesi ditore referencë e publikuar nga Instituti Europian për Tregjet e Parasë, e bazuar mbi normën e interesit me të cilat bankat i japin hua të pasiguaruar njëra-tjetrës. Para vitit 2015-të Euribor-i publikohej nga Federata Europiane e Bankave.

Sipas BIRN, disa banka edhe pse ka ndryshuar euribori, ata nuk i lëvizën normat e interest të kredive.

Në faqet e internetit të bankave të nivelit të dytë, nuk ka një informacion të detajuar për shërbimet që u mbahen qytetarëve.

Sipas BIRN, raste të ngjashme me ndryshimin e kontratave kanë bërë edhe bankat e tjera tregtare në Shqipëri: Union Bank, Tirana Bank dhe Raiffeisen Bank.

Autoriteti Mbikqyrës Financiar, ka bërë të ditur në një dëgjesë në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, se në vitin e ardhshëm do të ketë një raportim më të hollësishëm të këtij institucioni dhe mbikqyrje të shërbimeve nga bankat e nivelit të dytë. Erion Braçe, kryetari i Komisionit deklaroi se ka ardhur koha për vetting edhe të bankave.

Hapur.al