.

Pasojat e dëbimit të diplomatëve iranianë, a i çon drejt ftohjes marrëdhëniet Rama-Erdogan?

 

Dëbimi i ambasadorit të Iranit nga ana e Tiranës zyrtare, duket se ishte një veprim i paralajmëruar dhe i diktuar nga administrata e Shtëpisë së Bardhë, menjëherë kur në postin më të lartë të Sigurisë Kombëtare u vendos John Bolton, një nga personat që kanë mbështetur opozitën iraniane në Shqipëri.

Muxhahedinët e ardhur nga Iraku që prej vitit 2013 në vendin tonë, në fillim u sistemuan në ambjentet e ish-universitetit Vitrina pranë City Park-ut dhe më pas në Manzë.

Muxhahedinët kanë ndërtuar me shpenzimet e veta një super ishull Iranian, ku ndodhet shtabi i përgjithshëm i grupimit që është armiku numër 1 i regjimit të Teheranit.

Analiza, informacione nga terreni, përpunim strategjish, të cilat në kohë reale i përcillen Uashingtonit.

Me fitoren e Donald Trump, muxhahedinët kanë një aleat të rëndësishëm në Uashington, që sipas të gjitha gjasave nuk e kishin me Obamën.

Ish-Presidenti amerikan bëri marrëveshje me regjimin e Ruhanit, çka shoi shumë shpresat për një përmbysje të regjimit.

Muxhahedinët e Popullit janë një grupim politik opozitar, të cilët kanë jetuar në një kamp në Ashraf-Irak, deri në vitin 2014, kur u zhvendosën në Shqipëri.

Gjatë qëndrimit në Irak, jeta e tyre u bë e vështirë pasi qeveria Shiite e Bagdadit ishte aleate e ngushtë me Iranin, ku shitet janë në shumicë dërrmuese.

Pjesa kryesore e muxhahedinëve janë intelektualë të dorës së parë: inxhinierë bërthamorë, inxhinierë armatimi dhe specialist të industrisë.

Ishin muxhahedinët ata që i dhanë Uashingtonit informacionet se Teherani po përpunon teknologji bërthamore.

Më pas Irani reagoi duke sjellë në Tiranë një grup diplomatësh që kishin punuar prej kohësh në sektorin e luftës ndaj muxhahedinëve.

Shpesh, muxhahedinët kanë deklaruar se në krye të ambasadës së Iranit në Tiranë janë emëruar krerë të shërbimit sekret Iranian.

Për gjashtë muaj në Shqipëri nisi një luftë propagandistike ndërmjet Teheranit dhe opozitarëve të tyre, duke e kthyer Shqipërinë në një terren të luftës së brendshme politike.

Madje pati edhe një incident me një trupë britanike të Channal 4 që erdhi për të bërë një reportazh, por që sipas muxhahedinëve ata ishin agjentë të Iranit.

Muxhahedinët në Tiranë kanë nisur prej 1 viti një regjim të ri jetese me frikën se regjimi i Teheranit do t’i sulmojë nëpërmjet sulmeve terroriste.

Madje disa muaj më parë ata i dhanë informacione qeverisë shqiptare për dy atentate terroriste.

Sinjale që u morën seriozisht nga Uashingtoni.

Megjithatë Tirana nuk kishte marrë deri më sot një veprim drastik. Madje ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, vizitoi Teheranin rreth një vit më parë, çka u shikua me dyshim nga vetë muxhahedinët.

Vendimi i fundit që dëboi jo thjesht një diplomat, por vetë ambasadorin, ka sjellë një ngricë diplomatike jo thjeshtë me Iranin, por edhe aleatët e tij të ngushtë, Moskën në radhë të parë, por edhe të tjerët në gjirin Arabik e Lindjen e Mesme.

Turqia ndërkaq është një prej vendeve që ka afruar pozicionin e saj prej dy vitesh me Iranin dhe ka shumë gjasa që vendimi më i fundit i Ramës të shikohet me sy jo të mirë nga Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, që deri tani ka qenë mik i Ramës, por që kohët e fundit nuk ka pasur asnjë takim apo buzëqeshje.

Madje edhe avioni i Air Albania që Rama e inaguroi me disa gazetarë e që është një joint venture me turqit, duket se ka “humbur”.

Por me veprimin e fundit, Edi Rama mori një letër direkte nga Donald Trump, që e kishte dëshiruar prej kohësh.

Por sa do të kushtojë për Shqipërinë e vogël që të kthehet në arenë politike për përmbysjen e regjimit të një vendi të madh siç është Irani? Këtë sot nuk është në gjendje ta thojë askush…

@ Hapur.al