.

Vjen lajmi i shumëpritur për pensionistët: Ja kur nis shpërndarja e shpërblimeve

Instituti i Sigurimeve Shoqërore, ka njoftuar që nesër fillon shpërndarja e shpërblimeve të fundvitit për pensionistët.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë kreu i  ISSH, Astrit Hado, i cili shkruan se çdo ditë nga nesër deri në orën 14:00, do të realizohet pagimi i pensionit dhe shpërblimi për ata pensionistë që kanë datën e tërheqjes së pensionit.

Nga ana tjetër, Hado njofton se të gjithë ata pensionistë që nuk do arrijnë ta tërheqin këtë shpërblim deri më datë 29 dhjetor, do të mund ta marrin atë bashkë me tërheqjen e pensionit në muajin Janar 2019 e në vazhdim.

Kujtojmë se pagesa e shpërblimit të pensionistëve do të jetë 5 000 lekë të reja.

Njoftimi i plotë

Të nderuar pensionistë,

Mbështetur në VKM nr. 732, datë 12.12.2018 “Për shpërblimin e pensionistëve për festat e fundvitit, 2018”, Instituti i Sigurimeve Shoqërore në bashkëpunim me Postën Shqiptare sha, duke filluar nga dita e hënë, datë 17 dhjetor 2018, do të fillojë pagesën e shpërblimit të festave të fundvitit për pensionistët, në masën 5,000 lekë. Për të realizuar në kohë dhe me korrektësi dhënien e këtij shpërblimi është realizuar një grafik në të gjitha qendrat paguese të postës. Sipas këtij grafiku, të miratuar për këtë qëllim, do të punohet me orar veprimi nga ora 7.30 deri në orën 20.00, çdo ditë, duke filluar nga data 17.12.2018.

Çdo ditë, deri në orën 14:00, do të realizohet pagimi i pensionit dhe shpërblimi për ata pensionistë që kanë datën e tërheqjes së pensionit dhe pas kësaj ore do të paguhet shpërblimi për pensionistët që e kanë tërhequr pensionin para kësaj date, sipas grafikut të mëposhtëm.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka gjeneruar shpërblimin në sistemin informatik dhe gjithshka është gati në portalin e pagesave për t’u paguar, për të gjithë përfituesit. Njëkohësisht janë garantuar dhe transferuar fondet tek Posta shqiptare sha, si agjent pagues.

Pensionistët që e tërheqin pensionin pranë bankave të nivelit të dytë, në datën e pagesës së pensionit 20.12.2018, do t’iu transferohet edhe masa e shpërblimit.

Për pensionistët që e tërheqin pensionin në zyrat postare në fshatra, shpërblimi do të paguhet sipas datave të pagesës së pensioneve, duke filluar nga data 18 dhjetor e në vazhdim.

Grafiku i shpërndarjes së pagesave është dakortësuar midis ISSH-së dhe POSTËS SHQIPTARE sha.

Të gjithë ata që nuk do të mund ta tërheqin këtë shpërblim deri më 29 dhjetor, do të mund ta marrin atë bashkë me tërheqjen e pensionit në muajin Janar 2019 e në vazhdim, pasi faturat janë të gjeneruara.