.

Protesta te “Astiri”/ Basha paralajmëron publikimin e një afere tjetër kriminale (Video)

Banorët e “Astirit”, kanë vijuar edhe sot protestën në ditën e 43-të të tyre, ku tashmë nuk kërkojnë vetëm dëmshpërblim, por anulim të plotë të projektit të “Unazës së Madhe”. Në mbështetje të tyre ka shkruar sërish Kreu i PD-së Lulzim Basha dhe disa deputetë të opozitës. Ai u shpreh se janë dy krime të konstatuara tek Unaza e Re, ndërsa shtoi se një krim i tretë do të publikohet në ditët në vijim nga Partia Demokratike.

“Tek Unaza e Re janë konstatuar dy krime. I pari është ai i korrupsionit të zyrtarëve të lartë duke filluar nga Kryeministri. Në të 3 lotet po bëhet një vjedhje shumë e madher. Dhe krimi i dytë është ai i pastrimit të parave dhe veprës penale.

Në këtë aferë është përfshirë Afrim Qendro, si një ndër njerëzit më të besueshëm të Edi Ramës, është përfshirë Policia e Shtetit dhe ajo Bashkiake me dhunimin e qytetarëve, IKMT, QKR, dhe Bashkia e Tiranës. Kjo e fundit ka korruptuar disa banorë për t’i shërbyer për propagandë, sikur ata po prishin vetë shtëpitë e tyre”, – tha Basha.

Më tej ai tha: “Është edhe një krim i tretë i përfshirjes së Erion Veliaj dhe Edi Ramës, në manipulimin e planit urbanistik. Këtu plani është të vidhet dyfish, 40 milionë euro nga projekti dhe dhjetëra milionë nga prishja e banesave për ndërtimin e pallateve për të pastruar paratë. Brenda ditësh do të dalin të tjera detaje për këtë aferë të re. Partia Demokratike po punon prej ditësh për këtë”.

LIVE – Mbështetje banorëve të Unazës së re në protestën e tyre të drejtë, për të mbrojtur shtëpitë nga megavjedhja 40 milion euro e qeverisë.

Publiée par Lulzim Basha sur Dimanche 16 décembre 2018