.

Kërcënoi Gaz Pajën? Flet Ylli Baka: Ja pse u indinjova me imitimet e tij, ju rrëfej…

Ylli Baka është nga këngëtarët më të dashur për publikun shqiptar dhe jo pa qëllim aktori Gaz Paja është inspiruar nga ai për të krijuar personazhin “hit” të “Portokalli”-së që quhet Ylvi Bakërri.

Po si e priti këngëtari nga Memaliaj imitimin që s’ia merrte mendja, sidomos nga Paja, të cilin ai deri në atë moment e kishte konsideruar mik?

Në një intervistë për “Panorama Plus”, Ylli Baka rrëfen prapaskenat e një roli që ka mërzitur jo pak të afërmit dhe fansat e muzikës së tij.

Më poshtë një pjesë e shkëputur e intervistës së “Panorama Plus”:

E tashmë je kthyer në fenomemin e muzikës, ndaj për këtë arsye Gaz Paja të ka zgjedhur si karakterin e ri që imiton në “Portokalli”. Si e prite ti rolin e Ylvi Bakërrit?
Unë isha jashtë vendit të dielën që ai pati premierën e rolit dhe në fillim ma nisën numrin, ku unë pashë thjesht pjesën kur këndonte Gazi dhe ndaj e përgëzova. Por kur u ktheva e pashë të plotë dhe më imtësisht rolin, kuptova që ai dilte nga karakteri im. Di të them që roli i tij sa vjen dhe bëhet më popullor, aq sa njerëzit më pyesin: “Çfarë bëhet me Gazin, kur do e bëni atë këngën bashkë?”.
Ata mendojnë se ky rol është një aleancë mes nesh, por e vërteta qëndron ndryshe.

Po batutat janë të tuat dhe mënyra si i rrëfen historitë?

Jo. Fjala “pasha” s’është e imja, as “shoku”, pasi s’e përdorim fare ne nga Jugu. Unë përdor “o vëlla, ose “gjigant”, “o flori”. Sa për dialektin, ai flet pak si gjirokastrit, ndërsa kur këndon, më imiton në mënyrë perfekte. Kështu që mendoj se mund të ketë një miksim aty brenda me ndonjë këngëtar tjetër që vetëm ai e di. Sa për rrëfimet, ato janë lustrat që ai i jep rolit.

Pas këtij imitimi, e konsiderove në media rolin e Gazit një “Baftjar të dytë”. Të ngeli hatri?

Po, i thashë publikisht: “O Gazi t’u bëfsha unë, mos u merr me atë punë. Ti bëj humor se për të kënduar këndoj unë!”. Hatri? Në fakt s’di ç’të them se Gazi bën humor, ai s’më imiton vetëm mua, por edhe të tjerë. Nuk besoj se kam mllef për këtë që ai bën në ekran.

Në fakt, kanë nisur të qarkullojnë fjalë se ti je indinjuar aq shumë sa madje e ke kërcënuar Pajën, duke i kërkuar të tërhiqet nga roli. Është kjo një prapaskenë reale?

Për mendimin tim, një artist nuk kërcënohet. Por do i thosha Gazit disa vërejtje. Së pari, sa i takon veshjes, unë s’para këndoj i veshur sportiv, pasi mbaj kostum dhe kravatë. Kështu i them të ndërrojë stilin, pasi ato pantallonat me shkëlqim s’janë të miat. Në fillim u mërzita dhe njerëzve të mi s’u ka pëlqyer. Por kuptohet se Gazi nuk e ka bërë me dashakeqësi, pra, nuk ka inat apo me synimin për të më prishur imazhin. Nuk e di si e shohin të tjerët, se ka nga ata që e shohin shumë ndryshe.

Marrë nga Panorama Plus