.

Mesazhet e forta të Berishës në Open, që i shpëtuan vëmendjes së mediave

 

Ish-kryeministri Sali Berisha, ka dhënë një qëndrim krejt të ndryshëm në studion e Open të Eni Vasilit, duke e futur debatin mbi protestën e studentëve, në një hulli të re pas 9 ditëve.

Berisha, ka çmontuar tezën kryesore të kryeministrit Edi Rama, mbi kërkesën e studentëve për tarifat, sipas të cilëve janë Universitetet që kanë përcaktuar  masën e tarifës.

Sipas ish-kryeministrit, universitetet nuk kanë dërguar asnjë propozim për rritjen e tarifave.

Qëndrim që është përforcuar edhe nga Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynir Koni.

Sipas Berishës, tarifat e studentëve janë rritur nga 38-120% nga ana e qeverisë.

Ish-kreu i qeverisë dhe lideri historik i PD-së, ka cituar Bankën Botërore, e cila ka thënë se tarifat studentore janë 3.5 herë më të larta se mesatarja e vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Duke kundërshtuar thelbin e sistemit të arsimit të lartë në vend, Berisha tha se u kalua në standartizimin e universitetit, ndërkohë që thelbi i sistemit europian është diversiteti.

Ish-Kryeministri tha se është prekur liria e zgjedhjes së studentit për procesin mësimor, duke vendosur kufinj dhe tarifa.

‘Në një sistem të lirë, studenti është i lirë të zgjedhë nëse do ta japë provimin apo ta përsërisë. Në diktaturë ata quheshin ngelës dhe vjeshtukë”, tha Berisha

Duke mbrojtur sistemin universitar të qeverisë së tij, Berisha tha që Kristali dhe Vitrina nuk ishin universitete, por shkolla të larta jo universitare profesionale.

Ndërkaq, në diskurin politik, ish-kreu i qeverisë ka deklaruar se nuk do të duhet të bëhet dialog me Ramën, pasi sipas tij, studentët kërkojnë largimin e qeverisë.

Berisha, duke iu referuar qëndrimit në Kuvend të Rudina Hajdarit, lëshoi një mesazh të fortë politik kur tha se “ajo nuk do largohet nga PD pasi është e bija e të atit me shpirt të pavarur”.

Ndërkaq, një tjetër mesazh politik dërguar Lulzim Bashës, ish-mentori i tij në politikë ishte se nuk duhet që PD të hyjë në protestë hapur, por të mbështesë fort studentët dhe të mos lejojë infiltrimin e njerëzve të Edi Ramës.

@ Hapur.al