.

E vërteta e rikthimit të opozitës në Kuvend: precedentët revolucionarë që nga 1990-a

Hyrja e opozitës në seancën e sotme të Kuvendit po komentohen nga qarqe të ndryshme të opinionit publik si një manovër për të mos djegur ligjërisht mandatet, pasi një parlamentar do të duhet të konfirmojë një herë në 6 muaj pjesëmarrjen.

Zëra nga PD por edhe LSI, e kanë konsideruar këtë veprim si të gabuar dhe janë treguar mjaft kritikë.

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, një eksponent i rëndësishëm i LSI-së, edhe pse jo aktiv në strukturat e saj, ka shigjetuar deputetet-studentë të partisë së tij.

“Kejdi dhe Floida duhet të dorëzonin mandatet e të ishin bashkë me shoqet e shokët e tyre studentë, jo me pushtetarët anti-studentë”, shkruan Manjani në faqen e tij në rrjetet sociale.

Ndërkaq, Neritan Sejamini, profesor universiteti dhe këshilltar i jashtëm i Lulzim Bashës për Komunikimin, shkruan: “PD dhe LSI deri më sot kanë qenë në rrugë duke i thënë popullit se nuk mund të bëhen pjesë e Parlamentit të krimit. Tani që njerëzit dolën në rrugë, PD dhe LSI paskan vendosur të shkojnë në Parlament, i cili befas qënka kthyer në parlamentin e ligjeve dhe të dijes.

Në fakt nuk kanë qenë të gjithë deputetët e opozitës në Kuvend, por vetëm një pjesë e tyre, dhe çështja nuk duket kaq administrative.

Megjithatë, rikthimi i opozitës ka qenë një sinjal i rëndësishëm politik që kërkon leximin e duhur, sidomos kur një deputete e PD-së si Rudina Hajdari, e ka thyer hapur qëndrimin për bojkot, duke qëndruar në sallë.

Opozita duket dha një mesazh më shumë për ndërkombëtarët sesa për publikun e saj që kërkon veprime radikale të saj.

Sipas të gjitha gjasave, opozita ka dhënë një sinjal që pranon sistemin politik dhe nuk kërkon përmbysjen e tij, edhe në një situatë revolucionare si kjo e tanishmja.

Në të gjithë precedentët institucionalë të 28 viteve postkomuniste në Shqipëri, krizat janë zgjidhur gjithnjë brenda sistemit, edhe pse ka pasur një pjesë të politikës jashtë sistemit.

Madje edhe kur sistemi kishte ofruar situatë frustruese për ata që janë ngritur.

Kemi rastin e vitit 1996; socialistët morën vetëm 6 deputetë çka ishte jashtë çdo lloj imagjinate e fuqisë politike të tyre.

Por në fund në vitin 1997, kur pas një rebelimi të përgjithshëm, bojkoti dhe revoltave popullore, 6 deputetët e PS-së u rikthyen në Kuvend, ku u miratua një qeveri koalicioni me kryeministër socialistin Bashkim Fino.

Edhe në vitin 2002, pas zgjedhjeve ku PD—ja nuk njohu rezultatin, opozita u rikthye në sistem dhe madje bëri pakt me mazhorancën për Presidentin e Republikës, si dhe bashkoi votat me një pjesë të mazhorancës për të rrëzuar Kryeprokurorin e ri.

Ashtu ndodhi edhe me Edi Ramën në vitin 2009, kur pas një bojkoti të gjatë dhe një greve urie poshtë kryeministrisë, por edhe revoltave të tmerrshme të 21 janarit 2011, u rikthye në Kuvend ku miratoi ndryshimet kushtetuese.

Deri tani nuk ka një rrugë të dytë përveç asaj politike, pra sistemit parlamentar për të funksionuar në vend, edhe pse mund të ketë shpërthime revolucionare.

Të paktën që të njihen nga partnerët ndërkombëtarë…

@Hapur.al