.

Studentët, prapaskenat e panjohura të protestës dhe takimet “sekrete”me diplomatët e SHBA-së e BE-së

Nuk kanë kaluar as 12 orë nga përfundimi i ultimatumit që protesta studentore i kishte dërguar kryeministrit, Edi Rama dhe ne kemi sot disa fytyra të lëvizjes që filloi si një uragan i fuqishëm të rinjsh.
Një grup proteston para kryeministrisë, disa grupe janë zhvendosur në fakultete dhe studentët e rretheve po kryejnë marshim rezistence në qytetet e tyre. Protesta e madhe ka humbur trupin, ndërkohë që koka tregoi se nuk ekzistonte.
Burime të hapur.al bëjnë të ditur se dje në orën 15.00, grupet që kanë organizuar protestët 8 ditore të studentëve, janë përleshur fuqishëm pas vendimit për të përshkallëzuar protestën.
Lëvizja Studentore mori vendimin për të përshkallëzuar reagimin duke shpallur hyrjen në grevën e vetëflijimin dhe kërkesën fatale drejtuar qeverisë “Rama” për  largimin e saj, por dy korrente të forta brenda protestës siç janë këshillat studentorë dhe një tjetër korrent i saj, dolën hapur përpara studentëve duke kërkuar daljen para kryeministrisë dhe tek Zogu i Zi.
U duk shumë e pakuptimtë dhe e çuditshme axhenda e “Zogut të Zi” që duket se është një fiksim i hershëm i Lulzim Bashës, që në vitin 2006, kur ishte Ministër i Transporteve, pasi realisht kishte pak të bënte me kauzën e studentëve.
Më pas siç u pa, protesta u nda në fillim në 3 e më shumë devijime, duke dhënë më shumë sinjalin e një zinxhiri protestash sesa të një manifestimi qëndror që kërkon arritjen e një objektivi preçiz.
Edi Rama në Top Show deklaroi se protesta ka brenda saj disa komponentë politikë, ndërsa nuk u prek aspak nga akuzat që erdhën se ai po bënte dialog me studentët e FRESSH-it.
Pra, thelbi i asaj që Rama tha ishte: unë kam FRESH, LSI-,ja dhe PD-ja militantët e vet, marksistët të tyret dhe studentët që ngelen “jetimë”, sërish do t’i marr unë.
Kjo ishte një tentativë e fortë diversioni nga ana e kryeministrit, që natyrisht është provokacion, por që nuk prodhoi një efekt përbashkues të studentët.
Përkundrazi, ata u gdhinë në ditën e sotme me një përçarje të dukshme.
Kjo situatë detyroi Lëvizjen Studentore që të tërhiqet për të marrë forcë nëpër fakultete e për tu mbledhur sërish para Ministrisë së Arsimit. Pra për të mbledhur forca që ta vazhdojnë protestën.
Por një situatë e tillë frustrimi ka shumë gjasa që të prodhojë efektin e kundërt, nëse qeveria nuk do të marrë një vendim të qartë për 8 kërkesat.
Të gjtiha palët po luajnë e përgjojnë se kush bën më shumë gabime për ta kapur. Një provokim apo lëvizje e gabuar mund të shkaktojë një përshkallëzim të situatës. Një dhunë e policisë apo një lëndim i studentëve. Duket se palët kanë dalë me axhendën për të kërkuar sherr, ashtu siç ndodh në panelet e televizioneve.
Por njeriu që kohën e ka më të kufizuar është Edi Rama, i cili nuk mund të presë shumë pa vendosur.
Megjithatë fakti më i rëndësishëm i ditës, është një takim i dy diplomatëve të ambasadave të BE-së në Tiranë dhe zv.ambasadorit të SHBA-së, me një përfaqësi të studentëve sot në mëngjes.
Gjithçka është zhvilluar jashtë syrit publik, por që sipas gjasave kanë kërkuar të dinë se kush qëndron prapa studentëve që mbetën “jetimë” dje pasdite…
@Hapur.al