.

Protesta/“Washington Post” i kushton artikull: Pse studentët nuk i binden kryeministrit Rama

Protesta e studentëve shqiptarë e cila prej 7 ditësh vijon pa ndërprerë përpara Ministrisë së Arsimit ka marrë jehonë edhe në mediat më prestigjoze ndërkombëtare.

Këtë herë pas agjencive ANSA dhe AP, edhe gazetat amerikane New York Times dhe “Washington Post” kanë shkruar për atë që po ndodh në Tiranë dhe në qytetet e tjera të Shqipërisë.

Prestigjozja “Washington Post” shkruan se kryeministri shqiptar Edi Rama nuk arriti të bindë studentët protestues të universiteteve publike që të shkojnë të takohen me të dhe të bisedojnë për kërkesat e tyre.

Sipas saj, studentët shqiptarë të universiteteve publike me anë të protestave të tyre kanë kërkuar që të përmbushen kërkesat e tyre. Ata kanë parashtruar 8 pika për të cilat kryeministri i sqaroi dje në daljen e tij publike Live në Facebook duke ofruar zgjidhje si dhe duke ftuar studentët që të pranojnë të dialogojnë.

Washtington Post radhit në shkrimin e saj disa pika të kërkesës së studentëve ndaj qeverisë ndër to, përgjysmimin e tarifave, dyfishimin e buxhetit për arsimin dhe praninë më të madhe të studentëve në bordet vendimmarrëse.

Dje gjatë komunikimit Live në facebook, kryeministri Rama u shpreh se qeveria është gati për dialog, por nga ana tjetër ai u shpreh se janë universitetet ato që vendosin mbi tarifat e studimit pasi sipas tij universitetet në Shqipëri janë autonome.