.

 “Më ke ardhur për studente, por ti punon në ministri”, gazetarja përze nga studio juristen e MASR

 

Ish-zv.ministri i Arsimit , Taulant Muka ka zbuluar se një nga të ftuarat në studion e emisionit “Dritare me Rudinën”, e prezantuar si studente, në fakt punon juriste pranë MASR.

Muka ka qenë në një lidhje me Skype me studion e emisionit dhe ka komentuar për rastin në fjalë. Komentin e Mukës e lexoi edhe drejtuesja e emisionit, gazetarja Rudina Xhunga, duke sjellë edhe debate në studio deri në largimin e juristes.

“Më ke ardhur për studente, por ti punon në ministri. Ti përfaqëson ministrinë. Unë mendoj që nuk mund të jesh në studio, pa të fyer fare”, i tha  Xhunga, teksa i kërkoi largimin nga emisioni.

Më herët juristja e zbuluar nga Muka, si Adelina Laci tha se ka mbaruar dy fakultete, atë të Gjuhë-Letërsisë dhe Drejtësisë.

“Jam shumë e qetë, jam juriste me kontratë, jam futur me studentët që kanë fituar përmes praktikave të punës. Kam mbaruar dy fakultete, gjuhë letërsi dhe drejtësi. Unë Drejtësinë e kam fakultet të dytë, dhe kam mbaruar me rezultate të shkëlqyera. Nuk më është dashur të hy dy herë për të marrë një provim. Mesatarja ime është 9”, tha ajo.