.

Kronika e (pa)paralajmëruar e një revolucioni: çndodhi në 7 ditë protestë dhe si po tronditet statukuoja politike 28-vjeçare

 

 

Protesta e studentëve, ka hyrë në javën e dytë të saj, në një përshkallëzim dramatik të saj.

Nga kërkesat ekonomike dhe sociale të studentëve të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, që më pas u ndoqën edhe nga studentët nga e gjithë vendi, protesta është kthyer në një model politik-social në vend.

Protesta po implementon një koncept të ri për vendin, atë të “demokracisë direkte” që refuzon institucionet e dala nga përfaqësimi siç janë parlamenti dhe partitë politike, duke rrezikuar që nëse vazhdon një ritëm konstant, të ndezë fitilin e një bombe të fuqishme që mund të hedhë në erë tërë sistemin aktual në vend.

Sistem që ka krijuar një statukuo 28-vjeçare, ku gjërat komandohen nga lart, sidomos pas ndryshimit të Kushtetutës në 2008 së bashku me modelin elektoral, ku llogaritjet nuk bëhen nga poshtë, por nga lart.

Më 4 dhjetor protesta nisi me 4 kërkesat e famshme, ku në ballë ishte ulja e tarifave për provimet e mbartura, ku Kryeministri Edi Rama në fillim i refuzoi duke i quajtur si “ngelësa”, e më pas pranoi të ulë tarifat.

Por studentët nuk  u tërhoqën dhe ditën e dytë, pasi qeveria shfuqizoi VKM-në e famshme për tarifat e provimeve, duke hartuar një axhendë prej 18 pikash të tjera, ndërkohë që nga ana tjetër refuzuan të zhvillojnë negociata me qeverinë.

Studentët i kërkuan ministres së Arsimit, Lindita Nikolla që të zbresë në shesh për të takuar protestuesit. Ministrja doli edhe në shesh, por mori akuzat e sulmet e studentëve që i kërkuan zbatimin e 18 pikave.

Situata u përshkallëzua pikërisht në prag të 8 dhjetorit, kur në protest u afruan pjesë nga protestuesit e zonës së Unazës së Re, të cilët nuk u pranuan nga drejtuesit e studentëve.

Kjo acaroi gjakrat e opozitarëve në protest, të cilët etiketuan krerët e Lëvizjes Studentore si sorosianë.

Arlind Qori ishte më i sulmuari nga të gjithë, por ai deklaroi për herë të parë se studentët nuk kishin më thjesht kërkesa ekonomike, por po aplikonin atë që quhet “Demokraci Direkte”, por pa e elaboruar.

Kjo situatë ka tronditur politikën duke i futur asaj frikën për një ndryshim ekuilibrash dhe të gjithë po lëvizin që të përfitojnë.

Edi Rama, i cili në një farë mënyrë gjendet i rrethuar, po kërkon që të largojë para festive, studentët që nuk janë pjesë e forumeve partiake që të izolojnë protestën.

Ndërkaq, dy paprtitë e opozitës, po synojnë që bashkë me organizime paralele, të ndezin një revoltë masive ndaj Ramës, për të nxitur zhvillime politike.

Me një fjalë protesta në javën e dytë ka hyrë në një fazë eksploduese që sipas të gjitha gjasave do të pjellë një zhvillim krejt të ri politik, por që se nga do të peshojë kandari, duhet pritur të paktën deri të mërkurën, kur studentët do të japin një qëndrim më të qartë të vendimeve të tyre.

Por sipas të gjitha gjasave, po lind një grupim i ri politik, që ka shumë mundësi që të shpallet menjëherë, pa pasur mundësi që dikush të përfitojë.

Edhe nëse ndodh kjo, gjithsesi nuk do të ketë kthim pas në statukuonë aktuale politike të 28 vjetëve.

Rama, Basha dhe Kryemadhi kanë lëshuar thirrje studentëve sipas interesave të tyre politike, por fakt është se të tre palët janë të paqartë se ç’po ndodh realisht me studentët.

Të cilët vetë po ushqejnë një teori konspirative se kush qëndron prapa dhe çfarë po lind në këtë dhjetor të 2018-s.

Një parti? Një revolucion, apo një proces që do të shkundë politikën?

Hapur.al