.

Studentët “kërcënojnë” Ramën: Nëse nuk na dëgjohen kërkesat, na ke te dera e Kryeministrisë

Disa prej studentëve të ftuar në emisonin “Open” të gazetares Eni Vasili në Top Channel shprehën pakënaqësitë e tyre ndaj sistemit të arsimit të lartë.

“Pse duhet ta paguaj masterin kur bëj të njëjtat lëndë që bëja në Bachelor. Kryeministi nëse vjen me këto propozime duhet ti kishte bërë më parë, jo sot që u ngritëm në protestë. Ai duhet t’i realizojë dhe kaq. Ne nuk do ndalemi këto janë fjalët tona të fundit dhe nuk kemi diskutim”, u shpreh një studente.

Ata u shprehën se nuk do të ndalen dhe se do shkojnë drejt e tek dera e kryeministrisë nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.

“Ka për tu përplasur vitaliteti në dyert e kryeministrisë. Duam një Shqipëri më të mirë dhe ndryshimi do vijë shumë shpejt”, tha një student.

Ndërkohë njëri prej tyre tregoi se për tu regjistruar në një vend të mirë, për të kërkuar një batanie apo një dyshek më të mirë në konvikt studentëve u kërkohet rryshfet.

“Unë vetë nuk kam jetuar në konvikt, por kam shokë që kanë jetuar dhe studentët e vitit të parë i lenë në katin e parë ose të pestë dhe për t’i ndërruar katin u kërkojnë rryshfet. Ose për tu dhënë një batanie, ose një dyshek më të mirë”, u shpreh një tjetër student.