.

Rama sfidë studentëve: O me mua, o me opozitën. Unë nuk iki, s’është dhjetori i fundit

Pas 7 ditësh protestë, të studentëve para Ministrisë së Arsimit, për herë të parë është zhvilluar beteja e parë ballë për ballë dhe live ndërmjet protestuesve dhe qeverisë së Edi Ramës, edhe pse në distancë.
Kryeministri, në një dalje direkte nga selia e kryeministrisë, ka tentuar të vendosë një barrikadë në kërkesat e studentëve, në mënyrë që nesër kur pritet të jetë protesta e madhe, të mos ketë një përshkallëzim, por një diskutim mbi propozimin apo hapjen e kreut të qeverisë.
Edi Rama u ka thënë studentëve: Jam gati të ul tarifat, jam gati të vendos studentët në bordet e administrimit që do të shkrihen, ndërkohë që ka vendosur “vijën e kuqe”.
Kryeministri ka vendosur kufirin se nuk do të preket ligji i Arsimit të Lartë.
Nga ana tjetër, Rama u ka premtuar 1 mijë vende pune në administratë studentëve të ekselencës.
Por gjithsesi kreu i qeverisë është shfaqur shumë i tensionuar dhe i shqetësuar për fatin e përshkallëzimit të mëtejshëm të protestës ditën e nesërme dhe në vijim.
Thuajse në të gjitha paragrafet e Ramës në fjalën e tij për studentët Kryeministri ka përmendur “rrezikun e Lulit dhe Monikës” se mos përvetësojnë protestën, që sipas gjasave është edhe ankthi i tij.
Pasi një efekt vullkan i studentëve bashkë me opozitën e revoltuar, do të ishte padyshim një material i gatshëm për eksplozion që mund të kthehet fatal për qeverinë.
Pikërisht për të parandaluar apo për të dhënë një mesazh protestës, Edi Rama deklaroi indirekt se ai nuk do të largohet edhe nëse e kërkojnë.
“Ikja ime është muhabet tjetër, por nuk është ky dhjetori im i fundit”, tha Edi Rama, duke dhënë një qëndrim paraprak ndaj një kërkesë të mundshme për dorëheqjen e tij.
Ndërkaq, Rama ka sulmuar edhe rektorët, duke ua vënë përballë turmës së studentëve që t’i ‘shqyejnë’.
Por si thelb apo në fund, Edi Rama u ka lëshuar studentëve një sfidë direkte: O me mua, ose me PD-në e LSI-në!
Pra nëse studentët nuk kanë dashur ta politizojnë protestën deri tani, Rama nuk ka vonuar ta bëjë, duke ua vënë zgjidhjen dyshe pa mundësi për një rrugë të tretë.
Madje edhe duke paralajmëruar një skenar që padyshim është i informuar: që një pjesë e studentëve do të ikin në shtëpi në fund të muajit, ndërsa studentët përkrahës së opozitës do ta vijojnë protestën deri në fund të vitit, madje pa ndërprerje. Sot Rama tha që nuk ikën. Por është vetëm fillimi…
Hapur.al