.

“Vetë burrë, e vetë grua”/  Historia e Vullnetit që jeton duke mbledhur bimë mjekësore me 18 mijë lekë të vjetra në muaj

Kjo është historia e pabesueshme e një njeriu që jeton krejt i vetmuar në fshatin Sojnik të Gramshit. Ai quhet Vullnet Dëllinja dhe ka 18 vite që kalon vitet fillikat atje mes malesh.

Nuk ka mundësi të martohet sepse asnjë femër nuk vjen aty, jeta me 18 mijë lekë të vjetra, sakrifica duke mbledhur bimë mjekësore për të kaluar dimrin. Nuk ka asgjë dhe internetin se njeh, kështu që lexon vetëm libra të dhuruar nga mësuesit e fshatit ndër vite.

Gazetari  i “BalkanWeb” dhe “News 24” Shkëlzen Hankoja realizoi një intervistë me “Robinson Kruzonë” e Gramshit.

I nderur Vullnet, si është jeta për ty këtu i vetmuar?
Shumë e vështirë. Prej 18 vitesh gdhihem e ngrysem i vetëm. Çfarë jete është kjo. Vetë burrë e vetë grua. Më duhet të gatuaj, laj e pastroj gjithçka vetë. Më duhet të punoj për të mbijetuar. Skam askënd jam fillikat mes katër muresh.

Përse nuk jeni martuar?
Kam tentuar disa herë por sapo u tregoj se ku banoj gjithçka merr fund. Nuk vjen njeri këtu. Tani në fshat jetojnë 30 familje larg prej këndej. Dikur jetonin 200 por të gjithë kanë ikur.

Po ju përse nuk largoheni?
Ku të shkoj?. Kam shumë dëshirë të largohem. Po ku?. Unë marr vetëm 18 mijë lekë të vjetra në muaj. Çfarë të bëj me ato para. Nuk paguan dot asnjë llambë elektrike.

Po si mundesh pra të jetosh në këto rrethana?
Bëj jetë qeni. Gjatë verës mbledh ndonjë bimë mjekësore që të fitoj ndonjë lek që të blej bukë për dimër. Dua të mbyll dimrin. Kur nuk arrij dot marr veresie.

 

Po nëse dikush të ofronte që ju të banoni në shtëpinë e gruas. Do e pranonit?

Do e mposhtja burrërinë. Por askush nuk ma jep këtë mundësi. Unë nuk kam asnjë mundësi të takoj asnjë njeri, ose që dikush të më prezantojë me dikë.

Përse nuk shfrytëzoni rrjetet sociale?
Çfarë janë këto. Nuk i njoh. Këtu nuk ka valë telefoni e jo më rrjete.

Si e kalon kohën një njeri i vetmuar si ju?
Në mbrëmje lexoj libra. Mi kanë dhënë mësuesit në vite që vinin në fshat. Kjo është koha ime e lirë deri sa më zë gjumi.

Çfarë kërkon?
Një mundësi të largohem nga këtu. Nuk di në do më jepet rasti një ditë të shoh botën tjetër ku jetoni ju.