.

A po lindin lëvizjet jopolitike?

Protestat masive të studentëve në të gjithë vendin e nisur për “ulje tarifash” e më shumë të drejta, kthehet në frymëzim. Çfarë po ndodh me kastën politike që ka qarkulluar me rrotacion mes vetes përballë studentëve të revoltuar? Protestat rinore pa ndikimin partiak dhe fryma që po i japin shoqërisë. Kryeministri ofron diskutim e “mirëkuptim”, studentët e refuzojnë. A janë shenjat e para të një lëvizjeje jopartiake? Flasin analistët Mustafa Nano dhe Alfred Lela.

Nga Sebi Alla

Në dhjetor të vitit 1990, zanafilla e protestës studentore që u mbyll me shembjen e diktaturës, nisi si ankesë për gjellën me presh të pazier mirë dhe ikjes së dritave në një godinë të inxhinierisë së ndërtimit. Aq mjaftoi që revolta të shpërthente në të tjera kërkesa, mirëfilltës politike që rrëzuan mitin komunizëm. 28 vjet më vonë… Një VKM e qeverisë për tarifa të reja për provimet e mbartura (e nxjerrë këtu e ca muaj më parë), trazoi “studentët e paqtë”, që zhvilluan një nga protestat më të mëdha, jo vetëm në numër, por në domethënien e saj. Protesta nisi të mërkurën dhe u masivizua aq shumë sa ka gjetur të papërgatitur qeveri e opozitë bashkë, me pyetjen ende pa përgjigje: Çfarë ndodhi? Larg politikës (partitizmit), lëvizja studentore bllokoi për tre ditë rresht Ministrinë e Arsimit dhe parashtroi kërkesat e saj kryesore për përgjysmim të tarifave të shkollimit, dyfishim të buxhetit të arsimit, kushte më të mira nëpër konvikte dhe të kenë përfaqësuesit studentorë në këshillat e fakulteteve. Nëse shihen një nga një, duket se thelbi është për çështjen ekonomike dhe më shumë të drejta për të vendosur, por fryma që po përçojnë, kapërcen atë që shihet. Një protestë e ngjashme me “jelekëverdhët” e Francës që shpërthyen në revolta të dhunshme pas vendimit të qeverisë për të rritur me 3 cent litrin e naftës. Më shumë se për një “kosto të papërballueshme”, qytetarët atje dolën masivisht kundër një vendimi që me një lloj arrogance iu imponua popullsisë.

Në Tiranë dhe të gjitha universitetet e tjera të rretheve, revolta studentore dhe e rinisë në përgjithësi, jashtë ndikimit politik, po i jep mësimin e parë “kastës drejtuese” majtas e djathtas, se populli i paqtë që deri më tani ka treguar një lloj “alergjie” nga protestat, këtë herë ka kapur pikën kulminante të durimit. A mund të jetë një “dhjetor i dytë” kjo lëvizje e studentëve që nis për çështje kushtesh e të drejtash dhe mund të mbyllet me “revolucion” në ndryshimin e mënyrës qeverisëse, por jo me këta personazhe të politikës? Një pikëpyetje që vështirë të shtjellohet, por fryma po ekziston, ose më qartë një pjesë e mirë e qytetarëve do të donin që të vijonte. I pari që duhet të bëjë mirë llogaritë në sjellje e nisma do të jetë kryeministri Edi Rama, që këtë herë nuk ka me vete as pjesën e propagandës. “Protesta e ka patur të garantuar pacenueshmërinë e statusit të qytetarisë, më vjen shumë mirë për këtë dhe po të mund të zgjidhja dot sot doja të isha student protestues dhe jo kryeministër në zyrë, por si kryeministër dhe protestues i dikurshëm, duke dëgjuar njëri-tjetrin dhe duke u bërë bashkë për të shtyrë me forcë modernizimin e arsimit të lartë mund ta bëjmë shumë më mirë punën kolosale që mbetet për të bërë në dobi të universitetit. Shkurt fjala se sa rrinë dhe çfarë kërkojnë në rrugë kjo është e drejta e tyre legjitime, por detyra ime është ti dëgjoj dhe mbështes në çdo rast që do të donin të bisedonin, kur dhe po të duan, bujrum, kjo zyrë është imja, por pushteti i saj është i kujtdo, që e vë në shërbim të vendit dhe të së ardhmes”, -deklaroi kryeministri në një video në Facebook. Dukshëm në rol, Rama në një ton të qetë, dashamirës dhe në aktrimin e “babaxhanit”, ofroi dorën e pajtimit, gati me premtimin se është i gatshëm të plotësojë çdo kërkesë, pse jo edhe dëshirë të studentëve, mjafton që kjo revoltë domethënëse të mbyllet. Po çfarë e bëri kryeministrin të mbante këtë qëndrim vetëm 24 orë pasi i kishte konsideruar këta studentë si “ngelës” që duhet të paguanin? Padyshim jo vetëm masiviteti, por mesazhet që dhanë studentët në rrugë dhe për më shumë admirimi për studentët protestues të mijëra qytetarëve. Një kryeministër i anatemuar, i përplasur me skandale trafiku të bashkëpunëtorëve, për lidhjet me botën e krimit, apo edhe për afera të dyshuara korruptive do ishte lehtësisht i rrëzueshëm, edhe me frymën e revoltës studentore, por pyetja tjetër që ngrihet vetishëm, pas së sotmes, po ai nesër a ka besim? Dhe sytë kthehen nga opozita…

Çdo opozitë në raste të tilla do “fërkonte duart” nga revolta kundër qeverisë, por duket se nuk ka vend për gëzim në radhët e saj. Studentët kanë refuzuar me vendosmëri çdo partiak brenda protestës, duke i konsideruar të gjithë përgjegjës për të drejtat studentore në dy dekadat e fundit. Për të kuptuar se nuk duan të përfshihen në politikë, data 8 dhjetor do i gjejë të dyja palët në shesh, opozitën që përkujton ditën e Rinisë dhe studentët e sotëm që po tentojnë të shënojnë “datën” e tyre të një proteste që mund të mbesë në kujtesë. “Nesër ka protestë edhe Partia Demokratike. Por ne nuk do të përfshihemi fare me ta! Ne nuk do lejojmë që ata të përfshihen me ne. Jo politikë” thuhet në njoftimin e studentëve që kanë vendosur t’i shmangen protestës që do organizojë opozita. Edhe kryedemokrati Lulzim Basha është treguar mjaft i matur me protestën e studentëve, duke heshtur dhe pa tentuar të marrë kauzën e tyre, ndoshta edhe për shkak se që në ditët e para të daljes së tyre në rrugë kërkuan që politika të mbetej jashtë tyre. Eksponentë të rëndësishëm të PD dhe LSI gjithashtu janë të vetëdijshëm se ende nuk janë “vetëpastruar” për të krijuar bindje dhe frymë në elektorat, ndaj në këtë rast kanë zgjedhur thjesht të jenë spektatorë me shpresën e një “fundi tragjik” të qeverisë. “Banorët e bashkuar përcaktuan triumfin e të vërtetës. Deshën t’i varrosin brenda 10 ditëve, po nuk ia dolën. Edhe kur këtu erdhën 1000 policë, për të dhunuar banorët. Kush ka fuqi të qëndrojë pas këtyre parave? Edi Rama, hajduti i kësaj afere. Ky është mësimi i protestës së Astirit, të protestës së studentëve. Për 48 orë e futën Ramën poshtë minderit. Por beteja nuk ka përfunduar”, tha Basha krah banorëve të zonës së Unazës së Re që gjenden prej një muaji në protestë, për shkak të projektit infrastrukturor që u prish banesat.

Nuk duhen injoruar as zërat që gjykojnë se kjo nxitje e studentëve, (qoftë edhe pa dijeninë e tyre), vjen si shtysë nga brenda së majtës, që është në kulmin e konfliktualitetit të brendshëm midis klaneve që nisin nga bashkia e kryeqytetit, vijojnë me qeverinë dhe përfundojnë në parti. Ndoshta po synojnë të nxjerrin problemin “Rama” dhe shpëtimtar një tjetër personazh po brenda së majtës, por kjo mbetet ende një teori konspiracioni që në real-politikën shqiptare nuk mund të konsiderohet krejtësisht e pabesueshme. Për lëvizjen më të fundit me protestën masive të studentëve analisti Mustafa Nano mendon se në dukje kërkesat janë të ngushtësuara në interes (të drejtë) të tyre, por dëshira e analistit shkon në idenë që kjo protestë të kthehej në lëvizje. “Do doja që ata ta hapnin rrethin e kërkesave, të mos mbeteshin brenda botës së tyre të ngushtë. Unë do doja që ata ta shkundnin shoqërinë shqiptare. Sepse është kjo, për të cilën ne kemi nevojë. Këtë shkundje nuk ka se kush ta bëjë tjetër. Të gjithë faktorët e rëndësishëm të shoqërisë shqiptare, politika, media, biznesi, shkollat, feja, elita kulturore, janë pjesë e një sistemi që duhet tronditur”, gjykon Nano. Për të, qëndrime të Ramës janë shenjë e frikës, dhe jo e mirëkuptimit me protestuesit. “Është bukur që ka frikë, por nuk duhet të na e shesë këtë frikë si fuqi për të mirëkuptuar protestuesit. Rama, nëse ka mend për të kuptuar se në ç’gjendje është Shqipëria sot (për faj të tij), duhet të bëjë shumë më tepër sesa kërkojnë studentët”, shprehet Nano për gazetën Mapo. Drejtori i Politiko.al Alfred Lela, në analizën e tij shtjellon idenë se kjo revoltë studentore nuk është si “aksion momenti” për një padrejtësi. “Çdo protestë nuk është asnjëherë vetëm një kryengritje për ‘kushtet adekuate’, të atypëratyshme, por edhe një shfrenim apo shfrim i sentimenteve sociale, të frustruara apo të grumbulluara në kohë”-thotë Lela. I ndalur në “shtysën” që morën studentët Lela e konsideron si protestë jo partiake, por gjithsesi nuk e konsideron si jo politike. “Kësaj here opozita fiton vetëm si spektatore, jo si lojtare. Të rrijë larg për të mirën e vet dhe të gjësë që po ngjizet. Këtë ka bërë në fakt dhe kjo është një ndër ato gjëra që ka bërë mire”-shprehet Lela./Mapo