.

Dërgoi armë me postë për në Angli, Gjykata e Krimeve të Rënda merr vendimin për 33-vjeçarin

Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar me 8 vite burg Saimir Çullhajn, i akuzuar për trafik armësh nga Rinasi në drejtim të Anglisë.

33-vjeçari nga Shijaku në datën 23 gusht të vitit të kaluar akuzohet se ka bërë dërgimin e tre pakove me një prej agjensive të dërgesave postare, të cilat janë konstatuar gjatë skanimit në Aeroportin “Nënë Tereza”.

KËRKESA E PLOKURORISË

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi 12 vjet burgim për Saimir Çullhajn, i akuzuar për trafik ndërkombëtar armësh dhe municionesh.

Prokurori Behar Dibra lexoi ditën e djeshme pretendimet e Prokurorisë për shtetasin në fjalë, i cili dërgonte armë në Britani përmes postës. Rasti në fjalë u zbulua në gusht të vitit të kaluar, ku Çullhaj dërgoi me postë 3 automatikë kallashnikovë në Britani, duke i ndarë në copëza të montueshme.

I pandehuri e ka pranuar se i ka dërguar pakot në fjalë ku u gjetën pjesët e armëve, por ngul këmbë se nuk ka pasur dijeni se çfarë ishin. Prokuroria zbuloi edhe skemën e përgatitur për realizimin e trafikimit të armëve, ndërsa shtoi se hetimet për rastin në fjalë vazhdojnë për të zbardhur edhe qëllimin, për të cilin do të trafikoheshin dhe personat e lidhur. Kujtojmë se Çullhaj është arrestuar në 26 gusht, ndërsa dy ditë para arrestimit, më 24 gusht, në Rinas u sekuestrua një dërgesë me destinacion Britaninë, pasi skanerët pikasën pjesët e armëve.