.

“Paketa Antishpifje”, Edi Rama dhe tmerri i pisllëqeve në portale

 

Nga Nikollë Lesi

 

Po e them që në fillim: Jam për një ligj drastik për portalet!

Në gazeta apo radiotelevizione nuk guxon njeri të shkruajë apo transmetojë lajm të rremë për njeri, sepse mënjëherë përfundon në gjykatë. Natyrisht që ka patur ndër 28 vite përplasje të forta mes pushtetit dhe medias së lirë, ku tashmë dihen historitë e dhunës shtetrore ndaj medias “Koha Jone”, bile edhe djegie të redaksisë. Kjo tashmë është provuar, pas 20 viteve, edhe nga një vendim i gjykatës së lartë të Shqipërisë.

Përherë pushteti, sidomos në Shqipëri, synon të kontrollojë median. Kjo mbetet një përplasje mes dy botëve; botës së lirisë së fjalës dhe pushtetit që kërkon të mbyllë zërin e kësaj fjale.

Nuk jam ankuar asnjëherë se nuk duhet të ketë rregulla loje apo ligj në media. Por si njohës i sprovuar (e thashë pa modesti) i duelëve me pushtetet e këtyre 28 vitëve, mund të them se gjendemi para një kaosi total në mjetet e komunikimit online apo t’i quajmë portale. Është teknologjia e sotme që e ka krijuar këtë rrëmujë digjitale online, porse në thelb prapë më mirë kur ka shumë burime informacioni se sa tentativa e çdo pushteti për të bllokuar informacionin real mbi bëmat e pushtetit. Deri tani edhe mund të pranohet kjo mori portalesh, sepse u gjëndem para një teknologjie të paparashikuar nga asnjeri.

Teknologjia vrapoi me shpejt se sa profesionalizmi dhe etika në median online.

Nisur nga efekti vrapues i lajmit, komentit apo gjini të tjera mediatike online ka nevojë, bile urgjente, për një ligj apo rregullim po me ligj të këtij tregu online. E përsëris se në mediat e shkruara apo radiotelevizive nuk guxon të sajosh apo shpifësh se përfundon te dera e gjykatës. E pse të mos ketë edhe në portale një ligj, ku sejcili që e ndjen veten të fyer, poshtëruar apo që kanë sajuar t’i drejtohet gjykatës?

Natyrisht që duhet, sepse efekti shkatërrues për çdo njeri apo institucion në portale është i jashtëzakonshëm, sepse e tillë është teknologjia modern e përhapjes së atyre që shkruhen për ty. Të njëjta rregulla si për mediat e shkruara dhe radiotelevizive (të cilat janë edhe online) duhet të zbatohen për portalet. Të jenë të regjistruara, të kenë emrin e administratorit dhe drejtuesit që do përgjigjet në gjykatë, të paguajnë sigurimet shoqërore për të punësuarit, të respektojnë të drejtën e autorit, etj. Natyrisht le të shkruajnë sido e ça duan, sipas preferencës së tyre, por kurrsesi shpifje, sajesa, ndyrësira, etj, etj “komente” gjoja nga “populli”.

Për etikë profesionale nuk po përmend emrin e një media të njohur online, e cila kishte botuar një shkrim për një ish-deputete. Në pjesën e parë, shkrimi ishte korrekt, ndonëse masakrues, por nuk kishte fyerje apo shpifje. E drejtë e artikullshkruesit brenda lirisë së mendimit. Por më pas, te komentet, kishte përdorur një taktikë djallëzore.
Kishin lejuar çdo koment nga “populli”!

Ishte një masakër, një ndyrësi e plotë, pasi shkruanin (ndonëse dukej dora e portalit të “komentet e popullit”) se ish-deputetja ishte “kurvë”,” se “ka shkuar me filanin…”, se “edhe vajzën nuk e ka me burrin”, etj. Sinqerisht një paturpësi, vetëm se shefat e portalit kishin marrë porosi nga iks lider politik për ta poshtëruar ish-deputeten. Dhe më pas në kor e kishin marrë një mori portalesh satelite dhe e shpërndanin online.

Kjo nuk është media, nuk është liri fjale!

Ndaj ligji duhet shumë drastik. Në emër të lirisë së medias nuk mund të shkatërrosh jetën e tjetrit. Nëse do të ndodhte që në median e shkruar apo radiotelevizione të ishin shkruar apo thëna ato fjalë si te portali në fjalë ku gjoja “populli” shkruante mendimet e tija (!) mënjëherë media do të ishte mbyllur me vendim gjykate apo gjoba do të ishte katastrafike për atë që e kishte botuar.

E pse të mos jenë të detyruara edhe mediat online të respektojnë ligjin?!

Ligj i shpejtë dhe drastik, duhet!

Dikush mund të thotë se këtë e ka kërkuar kryeministri Rama, ndaj duhet kundërshtuar. Jo! As që ma ndjen fare për Edi Ramën, sepse dikur e kam patur tre vite gazetar dhe bashkëpunëtor të “Koha Jone”. “Nuk ma ndjen” ishte në sensin e frikës ndaj pushtetit të tij. Kryeministri mund të niset nga njëmijë arësye në këtë nisëm apo “Paketë Antishpifje”. Mua më intereson që “paketa antishpifje” të kalojë në sitën e debatit të ashpër në qarqet e medias serioze tradicionale, e jo vetëm. Të shoqërisë civile, të komisionëve parlamentare dhe në fund të kthehet në ligj.
Dikush mund të thotë se PS dhe Rama ka 71 vota e mund ta kalojë siç ka ndërmend Edi Rama, për synimet e tij hakmarrëse dhe censurë. Nuk vë dorën në zjarr për Ramën, sepse siç thuhet në raport me median “gjithë pushtetet një turi kanë”! Por mua, dhe mendoj medias tradicionale dhe serioze, na intereson që liria e fjalës të mos preket, porse ligji duhet.

Duhet, e përsëris!

Çdo njeri i prekur nga portalet të ketë të drejtën të shkojë në gjykatë, bile mendoj se parlamenti mund të miratojë një ligj apo shtesë në ligjet e tjera ku padia të shqyrtohet e gjykohet brenda 15 ditëve dhe jo të endet pa fund nëpër gjykata me vite të tëra. Ai që ankohet (i dëmtuari) kërkon nga ai që e ka akuzuar apo shpifur (pra portali) që të vertetojë ato që ka shkruar. Në të kundërt gjykata vendos gjobën.

Kjo nuk e pengon lirinë e mendimit, të fjalës apo medias. Portalet do të bëheshin me profesionistë, më pas, drejt një profesionalizmi klasik në kohë digjitale.