.

Edi Rama ka qenë dhe do të jetë gjithmonë e më shumë trumpist

Nga Ervis Iljazaj

Kush mendon se fjalimi i Edi Ramës me tone nacionaliste në Pejë, ishte për shkak të euforisë patriotike që të vjen natyrshëm në këto raste, nuk ka kuptuar ende trendin e ri të politikës së Kryeministrit.

Padyshim që Edi Rama e ka kuptuar më shpejt se të gjithë se, politika që shkon në modë sot përtej kufijve të Shqipërisë, është pikërisht nacionalizmi.

Jo më kot, fjalimi me ngritje zëri kundër Europës, nuk ishte aspak një tërheqje vëmendjeje të politikës së saj, por një retorikë që Edi Rama do ta aplikojë gjithmonë e më shumë në të ardhmen.

Prandaj, ideja e bashkimit kombëtar hodhi në mënyrë direkte e indirekte, do të jetë ndoshta kali i betejës së politikës së tij.

Fryma nacionaliste që fryn kudo në Europë, por sidomos në Shtetet e Bashkuara që në momentin që presidenti i saj është Donald Trump, me sa duket ka përfshirë dhe Kryeministrin e Shqipërisë.

Që e sheh këtë vizion si ndoshta vizion politik që do ta shpëtojë vazhdimësinë e tij në politikë. Se sa do të funksionojë kjo strategji, kjo mbetet për t’u parë. Megjithatë, e sigurt është që Edi Ramën do ta shohim gjithmonë e më shumë në versionin e politikanit nacionalist, nën gjurmët e politikës trumpiste që po jep ndikimin e saj kudo.

Ka një fenomen të ri në politikën ndërkombëtare, dhe kjo duket qartë. Me të gjitha gjasat, ndërkombëtarizmit si filozofi politike po i vjen fundi. Dhe, era e re e politikës ndërkombëtare do të jetë nacionaliste e shtyrë nga ideja konservatore e saj. Në këtë kuptim, ajo që po mundohet të bëjë Rama, dhe që do vazhdojë ta aplikojë, është pikërisht paraqitja si një politikan i stilit trumpist.

Në fakt, Edi Rama mund të konsiderohet pa frikë trumpist, edhe përpara se vetë Trump të merrte detyrën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara. Në aspektin e komunikimit dhe të sjelljes politike ka një ngjashmëri të pamohueshme.

Është e qartë se natyra e tij, është një natyrë e një lideri populist. Një politikan i cili komunikimin politik e ka kthyer në armën më të fortë tij. Po ashtu, po të vësh re marrëdhëniet e tij me shtypin, janë totalisht të njëjta me ato të Donald Trump. Ky i fundit ka shpikur termin “fake news”. Ndërsa, Kryeministri i Shqipërisë e konsideron median “kazan”. Dy terma të cilët kanë të njëjtin kuptim. Mosbesimin dhe kritikën ndaj mediave dhe atyre që bëjnë opinion publik.

Prandaj, stilit të tij të ngjashëm me atë të Trump, Edi Rama po i bashkëngjit dhe vizion politik nacionalist dhe jo ndërkombëtarist. I gjithë fjalimi në Pejë, të bën të mendosh se Rama, tanimë e ka zgjedhur strategjinë e tij politike. Dhe është ajo trumpiste. Të kuptohemi, e gjitha kjo sjellje mund të jetë thjesht për përfitime politike apo për të rindërtuar edhe njëherë nga e para komunikimin me administratën Trump, e cila që kur ka ardhur në pushtet ka një vizion totalisht të ndryshëm për politikën ndërkombëtare. Edhe për politikën në Ballkan, dhe kjo po verifikohet gjithmonë e më shumë në mënyrë të dukshme.

Kështu që, Edi Rama është duke u përpjekur të kapë trendin e ri të politikës trumpiste, duke shpresuar se kjo mënyrë e të bërit politik do t’i japë atij ende kredi politike. Se sa do jetë i suksesshëm në këtë drejtim, do të shihet në të ardhmen. Por, e sigurt është se, gjithmonë e më shumë Ramën do ta shohim të veshë petkun e politikanit nacionalist dhe që çështjet kombëtare do të jenë agjenda e re politike e tij.