.

Skemat e dyshimta të PPP-ve, si fluturojnë paratë nga xhepat tanë tek klientët e qeverisë

Në projektbuxhetin e vitit 2019, qeveria ka programuar të kontraktojë me PPP, 3 akse rrugore, 2 aeroporte, 6 shkolla në Tiranë dhe 1 spital rajonal në Fier. Kontratat në fuqi dhe ato të projektuara për 2019 arrijnë një vlerë sa 21.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ministria e Financave ka njoftuar se vlera e parashikuar për financimin e kontratave të koncesioneve për vitin 2019 është 2.7 miliardë lekë dhe përbën vetëm 3% të totalit të të ardhurave tatimore të pritshme të vitit 2018, prej 419.4 miliardë lekësh.
Po sa është shifra totale e PPP-ve të dhëna deri tani nga qeveria Rama?
Kontratat koncensionare me Partneritet Publik-Privat që tashmë janë në fuqi, kapin një shifër prej 210 miliardë lekësh. Shuma përfshin financimin e 16 kontratave, të cilat tashmë kanë një fitues. Shumica prej tyre janë në zbatim dhe financohen nga buxheti, ndërsa tre prej tyre janë shpallur fitues dhe janë në proces të finalizimit. Vlera e kontratave koncensionare e cila dominohet nga rrugët, pa përfshirë ato që janë në proces dhënie arrin, në 12.7 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të këtij viti (që llogaritet në mbi 1,6 trilionë lekë).
Sa do rritet borxhi publik dhe sa do i duhet të paguajë çdo shqiptar për këto konçesione me vlera kaq stratosferike?
Ministria e Financave parashikon në relacionin e projektbuxhetit 2019 se në fund të 2018-s treguesi zyrtar i borxhit pritet të arrijë në 69.9% PBB-së. Në këtë tregues nuk janë përfshirë pagesat për kontratat koncensionare. Bashkë me këto kontrata, treguesi real i borxhit shkon në 78.7 për qind e PBB-se. Po të llogarisim edhe detyrimet e praprambetura të qeverisë të cilat sipas ministrit Ahmetaj janë në rreth 14 miliardë lekë, aktualisht borxhi real i vendit është edhe më i lartë.
Më herët FMN ka tërhequr vëmendjen për rreziqet domethënëse fiskale që përmbajnë projektet e partneritetit publik privat (PPP). Fondi ka kërkuar vazhdimisht që ndikimi i këtyre projekteve, ndryshe nga sa veprohet aktualisht, të reflektohet në llogaritë fiskale dhe borxhin publik në mënyrë transparente dhe në linjë me normat ndërkombëtare.
Konçesionet e rrugëve kanë edhe një problem tjetër shumë serioz. Gjatë një viti, e njëjta kategori rruge e ndërtuar në Shqipëri, ka kushtuar më shumë se dyfishi kur është ndërtuar me fonde të brendshme në krahasim me të njëjtën njësi rruge që është ndërtuar me financim të huaj. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës, një kilometër rrugë e kategorisë B, me fonde të huaja, ka kushtuar 88,1 milionë lekë për kilometër, ndërsa me fonde të brendshme ka kushtuar 187 milionë lekë për kilometër, ose 112% më shumë. Kjo shifër kaq e lartë nuk ka asnjë shpjegim tjetër, përveç korrupsionit që shoqërojnë procedurat e prokurimit me fonde të brendshme. Për rrjedhojë, për të njëjtën sasi fondesh, me fondet e huaja ndërtohen dy herë më shumë rrugë.
Pak ditë më parë Partia Demokratike, nëpërmjet deputetes Jorida Tabaku, foli pikërisht për skemat korruptive të PPP-ve. Ajo e denoncoi këtë metodë të cilën e konsideroi një shpikje të kësaj qeverie dhe që deri më tani u ka kushtuar shqiptarëve 2.2 miliardë euro. Sipas Tabakut, në mënyrë të paprecedentë, në vitin 2019, për koncesionet do paguhet një vlerë prej 105 milionë eurosh, duke ia hequr këtë shumë investimeve në infrastrukturë, ujësjellësa dhe shkolla. “Kushdo që voton buxhetin 2019, në fakt ka votuar një buxhet në interesin e oligarkëve dhe një pakice që dëshiron të skllavërojë shqiptarët njësoj siç dikur diktatura famëkeqe moniste bëri me prindërit tanë”, u shpreh ndër të tjera Tabaku. “Borxhi publik rritet nga 72% në 85% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që çdo shqiptar, që nga fëmija i sapolindur tek më i moshuari do të paguajë këtë vit 730 euro.” – tha Tabaku.
Kur lexojmë këto shifra të frikshme për një vend ku qytetarët e saj kanë të ardhura modeste dhe paguajnë shumë taksa, nuk ka se si të mos na kujtohet slogani që Kryeministri Rama mban tek faqja e tij në facebook, “E gjithë vemendja për ju”. Nëse e ka fjalën për ata që fitojnë PPP-të, slogani është i sinqertë, por nëse i drejtohet votuesve të thjeshtë, duhet bërë ndryshe; “E gjithë vemendja tek xhepat tuaj!”./hapur.al