.

PPP-të e rrugëve, faturat e kripura dhe borxhet e fshehura që po konsumojnë të ardhmen tonë

Projektet e disa rrugëve dhe kostot e kripura të tyre, kanë qenë temë e nxehtë debati tani që projektet janë shpallur dhe kanë edhe një faturë të kripur nga pas. Në emisionin “Open” të disa ditëve më parë ku i ftuar ishte Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës Damian Gjiknuri, teksa diskutohej për këtë temë, gazetari Gjergj Erebara bëri një deklaratë të frikshme para Ministrit. Gazetari Erebara i krahasoi ndërtimet e rrugëve në vendin tonë me një katastrofë të ngjashme me firmat piramidale.
“Katastrofë e ngjashme me firmat piramidale. Themel që rrëzon demokracinë. Ky është shkatërrim social, jo ekonomi. 1.2 miliardë lekë janë dy herë më shumë se paratë që vendi ka humbur në firmat piramidale. Skema më e madhe piramidale në historinë e Shqipërisë”, tha Erebara në “Open”. Ndërkohë Ministri iu kundërpërgjigj duke i thënë se Shqipëria duhet të shkojë përpara, infrastruktura rrugore duhet të modernizohet dhe se e vetmja mënyrë për ta bërë këtë është me anë të skemës së PPP.
Një tjetër gazetar i ekonomisë, Klodian Tomorri, në një analizë bërë për këtë temë, tregon se ku qëndron problemi me këto koncesione të cilat nuk janë asgjë tjetër përveçse konsum i së ardhmes dhe a është kjo mënyra më e mirë për të financuar investimet apo shërbimet publike?
“Dobësia kryesore e PPP-ve është kostoja e lartë që ato u ngarkojnë taksapaguesve. Në shumicën dërrmuese të rasteve, PPP-të janë mënyra më e shtrenjtë për të financuar një vepër ose shërbim publik dhe diferencat me mënyrën klasike të prokurimit, atë të tenderit janë stratosferike deri në dyfish. Kjo është një kosto shtesë, e cila buron nga disa zëra.” – pohon Tomorri.
Së pari janë kostot e kapitalit. Kur një rrugë ndërtohet me PPP, koncesionari privat merr hua në bankë dhe përvec kostos së ndërtimit të rrugës, i ngarkon qeverisë edhe koston e interesave. Por për shkak se kompanitë private kanë risk më të madh, interesat me të cilat bankat u japin borxh atyre janë shumë më të larta se sa ato me të cilat kreditojnë qeverinë.
Së dyti, veç kostos së kapitalit, arsyeja e dytë se pse PPP-të janë më të shtrenjta nga projektet e financuara me mënyrën tradicionale është kostoja e ndërtimit. Një analizë empirike që krahasoi çmimet e ndërtimit të 277 rrugëve në Europë gjeti se vlera e tenderuar e ndërtimit për segmentet me PPP ishte mesatarisht deri në 24 për qind më e lartë se sa vlera e tenderuar e projekteve me tender publik, duke mbajtur të gjithë faktorët e tjerë të pandryshuar.
Së treti, kontratat me Partneritet Publike Privat kanë dhe një tjetër kosto shtesë, që është norma e kthimit. Kompanitë private që marrin një koncesion kanë vetëm një qëllim, të realizojnë fitim. Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit në Britani, normat e kthimit për investitorin privat varion nga 12 deri në 15 për qind e vlerës se projektit. Ky fitim do të financohet nga taksapaguesit duke rritur koston totale të projektit.
Këto janë vetëm disa nga arsyet kryesore sipas Tomorrit, se pse qytetarët shqiptarë do të paguajnë për 5 akset që do të ndërtohen dhe mirëmbahen me koncesion të paktën 300 milionë euro më shumë nga sa do të paguanin nëse këto akse do të ndërtoheshin drejtpërdrejtë nga qeveria. Pra borxhe që bien mbi ne, plus borxhe të tjera të fshehura.

Më poshtë po rendisim rrugët për të cilat bëhet fjalë:

Rruga Thumanë – Kashar.
Kjo rrugë është e gjatë 21 kilometra. Ajo i është dhënë me koncesion firmës Gener 2.
Është rrugë fushore dhe ka një kosto të frikshme, plot 337 milionë euro.
Në dokumentat e tenderit rezulton se qeveria do të dalë garant, për kredinë që do të marrë firma ndërtuese Gener 2.
Specialistët nënvizojnë se, ky është një korridor rrugor, por jo një prioritet kombëtar.
Kosto e saj, 16.85 milionë euro për kilometër, është jashtë cdo norme ndërtimore, duke e krahasuar edhe me rrugët më malore të rajonit.

Rruga Orikum – Dukat.
Koncesioni për rindërtimin e kësaj rruge, që është thjesht një zgjerim, është fituar nga kompania “Gjikuria”, me ofertë të pakërkuar. Kësaj kompanie në mënyrë të çuditshme, qeveria, i akordon kontratat më të majme dhe më të dyshimta.
Konkretisht, rruga Orikum – Dukat, është 16 kilometra dhe do t’i kushtojë buxhetit të shtetit plot 50.5 milionë euro. Ekpertët mendojnë se çmimi i këtij koncesioni është i dhjetëfishuar.

Rruga Kashar – Rrogozhinë.
Është e gjatë 44 kilometra dhe do të kushtojë 15.2 milionë euro për kilometër, pra 670 milionë euro në total. Kjo rrugë me këtë shifër të çmendur është në proces konkludimi. Nuk dihet saktësisht forma e financimit, por mendohet se ajo do të jetë me koncesion dhe kredia me garanci nga shteti.

Rruga e Arbrit, Tiranë-Qafë Bllatë.
Ështe 72 kilometra e gjatë. Kostoja e kësaj rruge do të jetë 250 milionë euro. Ëshë një koncesion i fituar nga firma “Gjoka”, e cila do të investonte 250 milionë euro nga buxheti i saj, por pak javë më pas, qeveria ka akorduar plot 4 milionë euro të tjera për shërbime konsulence.
Kjo rrugë ka disa segmente. Pjesa më e madhe e saj ka përfunduar vite më parë. Segmenti Tiranë – Ura e Brarit, ka qenë i përfunduar. Segmentet në Bulqizë – Maqellarë – Kufi Qafë Bllatë, janë thjesht rikonstruksion. Koncesioni ka shumë anë të errëta dhe të paqarta.

Bypassi i Fierit dhe i Vlorës.
Deri më tani janë bërë vetëm 10% e punimeve dhe të dyja bashkë kushtojnë 60 milionë euro. Megjithatë, këto dy bypasse, sa i përket çmimeve, janë si nata me ditën me çmimet e rrugëve të lartpërmendura.
Lë të marrim si shembull bypassin e Vlorës. Kjo është një rrugë 29 kilometra e gjatë. Është rrugë malore dhe kushton 35 milionë euro. Ndërsa, rruga Thumanë – Kashar, është 21 kilometra dhe është një rrugë fushore, por kushton plot 337 milionë euro. Kjo rrugë, me parametrat e tenderave të BERZH-it, përfshirë këtu edhe veprat e artit, duhet të kushtonte vetëm 3 milionë euro për kilometër. Çuditërisht ajo kushton 5 herë më shumë.

Rruga Tiranë – Elbasan.
Është e gjatë 30 kilometra dhe kushton 450 milionë dollarë, pra rreth 13.3 milionë dollarë për kilometër.
Tuneli i kësaj rruge, ka filluar në kohën e qeverisjes së Sali Berishës, i cili në atë kohë e konsideronte atë si një hambar votash.
E projektuar dhe e ndërtuar nxitimthi, kjo rrugë ha çdo ditë vetëm para, për shkak të rrëshqitjeve të herë pas hershme.
Punimet e kësaj rruge filluan në vitin 2011 me kompaninë greke “Aktor”, me një vlerë prej 312.5 milionë dollarësh.
Deri në ditët e sotme, siç e theksuam, kostoja e kësaj rruge, ka shkuar në 450 milionë dollarë dhe nuk dihet a do të përfundojë ndonjëherë. Ajo që dihet saktësisht, është që ish drejtorët e ARRSH-së, të Berishës apo Ilir Metës, herë pas here hyjnë dhe dalin nga burgu. Ky proces nuk ka filluar ende me drejtorët e Edi Ramës.

Rruga Çorovodë – Përmet.
Është e gjatë rreth 40 kilometra. Ky projekt, u prezantua në prill të vitit 2016. Punimet u inaguruan na Maj 2017. Siç ndodh rëndom në Shqipëri, disa copa janë ndërtuar më parë. Projekti është i kushtetueshëm dhe i vështirë.Rruga ka filluar të ndërtohet vite më parë nga firma “Salillari”, për një Lot me vlerë 10 milionë euro. Por, pa përfunduar, ARRSH i ka dhënë firmës edhe 2 milionë euro.
Bypassi i Shkodrës.
Ky projekt ka filluar para 7 vitesh me një fond 1.9 miliardë lek. Deri sot, punimet vetëm janë shtyrë. Së fundmi, ARRSH i ka dhënë firmës edhe 2.5 milionë euro shtesë.
Rruga Lin – Pogradec.
Ndërtimi i saj ka filluar shumë vite më parë. Pak muaj më parë firma, “Pevlaku”, ka fituar sërish një tender me vlerë rreth 1.3 milionë euro. Kjo është një rrugë që duket sikur nuk to të mbarojë kurrë.