.

Tri arsye përse largimi i Fatmir Xhafajt ishte i pashmangshëm

Nga Ervis Iljazaj

Largimi i Fatmir Xhafajt nga posti i ministrit të Brendshëm, ishte një lajm që herët apo vonë do ta dëgjonim. Dhe kjo, jo për arsye të punës së tij, të aftësisë së tij apo të ndonjë çështje të tillë si kjo. Madje, largimi i tij nuk ka të bëjë as me operacionet e fundit të policisë, ashtu sikurse aludohet në një pjesë të opinionit dhe zërave publikë.

Edhe për faktin se, arrestimi i bandave dhe operacionet e rëndësishme si ato, nuk janë aspak punë e ministrit, por e drejtorit të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë.

Largimi në këtë rast, është tërësisht çështje politike dhe që ka të bëjë me marrëdhëniet midis ish-ministrit dhe Kryeministrit Rama. Është e qartë për të gjithë që, kjo ishte kthyer në një marrëdhënie që nuk kishte kurrfarë komunikimi politik. Dhe, në këtë kontekst është më se e natyrshme që të largohet ministri dhe jo Kryeministri, i cili është i votuar nga populli, dhe që është përgjegjës sipas Kushtetutës së Shqipërisë për pushtetin ekzekutiv dhe koordinimin e punëve të ministrave të tij.

Në çdo vend të botës, ku ka një konflikt, mosdakordësi apo mosmarrëveshje për çfarëdo arsye politike, ai që largohet është me siguri ministri dhe jo Kryeministri. Në këto kushte, të mendosh që ministri mund “të shkarkojë” kryeministrin, është absurditet politik, kur në një kabinetin qeveritar ka vend vetëm për njërin ose për tjetrin.

Po përse kjo marrëdhënie midis ish-ministrit të Brendshëm dhe kryeministrit?

Janë tri arsye thelbësore, të cilat krijuan një marrëdhënie politike e cila nuk mund të vazhdonte më gjatë.

Së pari, që nga koha e emërimit të Fatmir Xhafajt në krye të Ministrisë së Brendshme, klima politike është më se e tensionuar, për shkak të historisë së vëllait të tij. I gjithë aksioni opozitar në muajt e fundit, ishte e fokusuar në sulmin ndaj ish-ministrit Xhafaj. Duke bërë kështu, pothuajse të pamundur qeverisjen dhe zhvillimin normal politik në vend.

Së dyti, pas çështjes së Sajmir Tahirit, vazhdimi në detyrë i Fatmir Xhafajt, i cili ishte nën ciklonin e sulmit opozitar, përbënte një kosto të madhe politike për mazhorancën dhe vetë Edi Ramën. Në këtë kuptim, historia e dy ministrave të rëndit të njëpasnjëshëm, që përfliteshin personalisht apo familjarët e tyre për trafikim të lëndëve narkotike, ishte kthyer në një situatë politike problematike për mazhorancën.

Së treti, dhe më e rëndësishmja, Kryeministri Rama që nga koha e ardhjes në detyrë të Fatmir Xhafajt në krye të Ministrisë së Brendshme, pothuajse nuk kishte asnjë akses dhe komunikim me këtë dikaster. Si të thuash, Ministria e Brendshme ishte një ishull i izoluar nga koordinimi dhe orientimi politik i Kryeministrit Rama. Edhe për faktin se, Fatmir Xhafaj kishte mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe sidomos ish-ambasadorit amerikan Donald Lu. Në këtë kuptim, pushteti i Kryeministrit në drejtim të Ministrisë së Brendshme, ishte inekzistent. Mirëpo, një situatë e tillë, është e papranueshme për një Kryeministër, i cili është votuar dhe është përgjegjës përpara qytetarëve për pushtetin ekzekutiv. Në këtë aspekt ka të gjithë të drejtën të vendosë për politikat e qeverisë. Vendime që mund të jenë të gabuara apo të drejta, kjo është një çështje tjetër, dhe që e gjykon populli me votë.

Për të gjitha këto arsye, bashkëjetesa në një qeveri të përbashkët midis ish-ministrit dhe kryeministrit, ishte e pamundur për arsye politike. Dhe, siç është normale, ai që largohet në këtë rast është padyshim ministri. Duke qenë se, kryeministri ka për detyrë të japë llogari për qeverisjen përpara qytetarëve, dhe, për këtë arsye, duhet të ketë të gjithë mundësinë të ushtrojë pushtetin e tij që ja ka kanë deleguar qytetarët. Prandaj, largimi i Fatmir Xhafajt, ka një arsye thelbësore, që ka të bëjë me raportin e tij politik dhe Kryeministrit që është përfaqësuesi dhe përgjegjësi i vetëm i qeverisjes. Në këtë aspekt, largimi i Xhafajt, do të sjellë një normalitet dhe do të shtensionojë situatën politike në vend.