.

Euro shënon sërish rënie, ekspertët e këmbimit valutor nuk presin që Banka e Shqipërisë të…

Monedha e përbashkët europiane e ka nisur javën e zhvlerësuar në raport me lekun. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro është këmbyer sot me 124.55 lekë, duke iu afruar nivelit minimal prej 124.17 që arriti në fillim të muajit qershor. Prej fillimi të tetorit monedha e përbashkët është zhvlerësuar përkundrejt lekut me rreth 1.73 lekë.

Arsyeja kryesore e nënçmimit të euros në tregun vendas është oferta e lartë në valutë dhe kërkesa e ulët për ta tërhequr këtë valutë nga tregu. Ndërkohë një tjetër arsye për nënçmimin është edhe niveli i ulët i qarkullimit të lekut, duke qenë se vëllimet tregtare në muajin tetor sipas aktorëve kryesorë të tregut kanë qenë në minimumet vjetore.

Megjithatë situata në tregun e këmbimit valutor ka qenë e qetë dhe operatorët më të mëdhenj në vend shprehen se është ky çmim i euros është një çmim real. Nëse ka rritje apo zhvlerësime të menjëhershme bëhet fjalë për spekulime në tregun e këmbimit valutor.

“Për ne është e rëndësishme të ketë çmime të tregtueshme”,- tha një prej operatorëve më të mëdhenj në treg, duke shtuar se tregu i këmbimit ka vijuar normalisht. Ekspertët e këmbimit valutor nuk presin që Banka e Shqipërisë të ndërhyjë në treg tashmë të normalizuar.

Banka e Shqipërisë, pas një sërë ndërhyrjesh në treg, që nga fillimi i qershorit, ku bleu më shumë se 100 milionë euro, e ka ulur intensitetin e blerjes së valutës. Shqipëria ka një regjim të lirë të kursit të këmbimit dhe Banka, sipas ligjit, ndërhyn vetëm kur cenohet objektivi i saj kryesor, ai i mbajtjes nën kontroll të inflacionit.

Por, teksa inflacioni po i afrohet gradualisht objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3%, nuk pritet të ketë më ndërhyrje në treg, duke e lënë kursin të luhatet i lirë, në bazë të kërkesë ofertës.

Euro është “ndihmuar” dhe nga rënia e tij në bursat ndërkombëtare, ku monedha e përbashkët ka zbritur në 1.13 dollarë, nga 1.16 që ishte dy javë më parë./Monitor.al