.

Qeveria gjermane i dha një dorë asaj shqiptare për arrestimet e fundit antidrogë, po Xhafën cila dorë e largoi pikërisht tani?

Operacioni i kapjes së një organizate të dyshuar për trafikun e drogës me qendër në Shijak, duket se është kryer me kërkesë dhe nën trysninë direkte të qeverisë gjermane. Të gjithë personat e arrestuar  janë pjesë e një organizate të drejtuar nga anëtarët e familjes Avdyli në Shijak, që kryente trafik droge mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.

Madje se edhe ngarkesa prej 613 kilogramë kokainë e  kapur nga policia në shkurt 2018, pasi kishte hyrë në Portin e Durrësit nga Kolumbia, me pritës Arbër Çekajn, ka qenë pjesë e aktivitetit të të njëjtit grup.

Arben Çekaj u largua duke u fshehur në Gjermani ku u kap nga policia vendase, e cila refuzoi ekstradimin e tij për shkak të një hetimi në Gjermani. Burime të besueshme pohuan se Çekaj ka vendosur të bashkëpunojë me drejtësinë gjermane dhe ka nxjerrë detaje dhe emra të personave të përfshirë në trafikun e heroinës dhe kokainës drejt Gjermanisë.

Pas këtij informacioni, qeveria gjermane ka ushtruar trysni ndaj qeverisë shqiptare për arrestimin e personave të këtij grupi kriminal. Katër nga drejtuesit më të lartë të policisë, hetuesisë dhe qeverisë gjermane kryen vizita blic në Tiranë në fillim të tetorit për të detyruar qeverinë shqiptare të godiste një nga organizatat kryesore që realizonte trafikun e drogës nga Shqipëria në Gjermani.

Kjo trysni çoi në dy operacionet e fundit të policisë shqiptare për zbulimin dhe asgjësimin e laboratorit të heroinës në Has dhe goditjes së organizatës Avdyli në Shijak.

Për t’i dhënë operacionit ngjyrat e një goditje frontale ndaj krimit nga policia shqiptare, duket se në të është përfshirë edhe një operacion fasadë për arrestimin e Klement Balilit, i palidhur me organizatën Avdulaj.

Organizata Avdyli është grupi kriminal për të cilin Prokuroria e Krimeve të Rënda ka një hetim në ngarkim të kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako. Prokuroria ka përgjime të bisedave të Dakos me Avdylajt për blerje dhe sigurim votash në shkëmbim të kontratave për punë publike të Bashkisë Durrës.

Ky fakt u denoncua në publik nga Partia Demokratike para një viti. Vangjush Dako paditi në gjykatë PD-në për shpifje, por gjykata vendosi në maj 2018 kundër Dakos, pasi duket se siguroi të dhëna për ekzistencën e hetimit.

Duket se kërkesa gjermane ka qenë shpëtim për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pasi ajo ka gjetur një rrugëdalje që të arrestojë Avdylajt pa prekur Dakon dhe për të varrosur kështu hetimin mbi Dakon. Të paktën deri tani kështu duken gjasat, edhe pse nuk dihet se çfarë mund të ndodhë në ditët në vijim.

10 ditë para dorëheqjes së tij, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj u shfaq i lumtur në krah të Drejtorit të  Përgjithshëm të Policisë gjermane, Dieter Romann. Romann dhe Xhafaj njoftuan se mes dy vendeve do të ketë bashkëpunim të ngushtë dhe shkëmbim informacionesh për të luftuar krimin e organizuar. Ministri Xhafaj njoftoi se në ditët në vazhdim, policia e shtetit do të bënte arrestime të rëndësishme, madje i këshilloi gazetarët që t’i rrinin afër institucionit të tij pasi do kishte lajme, gjë që në fakt ndodhi.

Disa media treguan se mes Ramës dhe Xhafajt mbrëmë natën ka patur sherr me tone të larta, gjë që ne e kemi të pamundur ta konfirmojmë.  Thuhet se arsyeja e largimit të Xhafës, me apo pa dëshirë, është bërë pasi ai donte të arrestonte Dakon dhe Rama e ndaloi. Gjasat që këto biseda konfidenciale të dalin në publik, janë të pakta. Ashtu si shumë pretenduan se Saimir Tahiri do shiste Ramën pas largimit të tij si Ministër, zor se edhe Xhafaj do ketë ndonjë gjë sensacionale për të ndarë me mediat, duke e lënë kështu të mbuluar me mister largimin e tij nga posti i Ministrit, bash në kulmin e aksioneve të rëndësishme dhe të shumëpritura./hapur.al