.

Arrestohet ish-drejtori i Burgjeve, Arben Çuko

Policia e Shtetit ka ekzekutuar urdhër arrestin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për ish-Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve Arben Çuko.

Sipas burimeve të policisë, Arben Çuko dyshohet se është i përfshirë në korrupsion pasiv, gjatë kohës që ushtronte detyrën e Drejtorit të Burgjeve.

Urdhër arresti u ekzekutua sot pasdite dhe aktualisht Çuko është i ndaluar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Rreth dy muaj më parë Çuko u shkarkua nga posti i tij dhe vendin ia zuri Stefan Cipa. Motivacioni i këtij ndryshimi ishte rritja e sigurisë në burgje.

Sipas njoftimit zyrtar të shpërndarë nga Ministria e Drejtësisë në atë kohë thuhej se “ky ndryshim bëhet për të përmirësuar punën e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, veçanërisht në drejtim të rritjes së sigurisë së brendshme dhe kontrollit si dhe rritjes së efikasitetit të luftës kundër korrupsionit në sistemin e burgjeve”.

Arben Çuko nga deputet i PS mori detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve në korrik të vitit të kaluar dhe zëvendësoi Arjan Hoxhën, i cili u emërua në këtë post pas marrëveshjes Rama-Basha.

Çuko ka qenë anëtar i Komisionit të Sigurisë, Komandant i Gardës së Republikës dhe këshilltar i Kryeministrit të Kosovës për Sigurinë.