.

Qytetarët i shkojnë pas një lideri kur flet për problemet e tyre dhe jo të politikës

Nga Ervis Iljazaj

I gjithë aksioni opozitar në kohët e fundit është fokusuar mbi dy histori “skandalesh”, të cilat kanë marrë totalisht energjitë politike. Historia e Babales dhe e Xhisielës është kthyer tashmë në betejën politike kryesore.
Në fakt, opozita shqiptare të gjithë betejën e saj politike e ka bazuar te moraliteti politik.

Të kuptohemi, çështja e moralitetit është një çështje e rëndësishme dhe duhet të marrë të gjithë vëmendjen e duhur. Por, është absurde të mendosh që politika shqiptare të harxhojë energji me kohë të plotë vetëm në këtë çështje. A thua se, njëra palë ka përparësi morale kundër tjetrës.

Edhe për faktin se, çështje të tilla zgjidhen vetëm nga drejtësia dhe aspak nga pretenca publike politike, që nuk ka asnjë vlerë për të vërtetën, përveçse degradojnë debatin publik duke e fshehur atë.

Nëse vërtet meraku i madh i politikës shqiptare është drejtësia, atëherë, le të shpejtojnë të mbarojnë me sukses Reformën në Drejtësi. Gjë për të cilën, janë duke bërë totalisht të kundërtën.

Ajo që nuk kupton politika shqiptare, por në këtë rast opozita, është se, qytetarët e ndjekin një lider dhe një parti kur ajo ngre çështje apo i thërret në protesta vetëm kur bëhet fjalë për problemet e tyre, apo për përmirësimin e jetës së tyre.

Shpeshherë qytetarët shqiptarë akuzohen sikur janë një popull jo reagues ndaj problemeve. Por, nuk është absolutisht e vërtetë. E vërteta është se, politika, i bën thirrje atij për t’u ngritur për çështje që janë probleme politike dhe aspak probleme që përbëjnë shqetësim për jetën e tyre.

Kështu që, ajo që i duhet vendit në këto momente, janë padyshim debatet politike mbi reformat që krijojnë një bazë thelbësore të zhvillimit të tij.

Reformat ekonomike dhe shoqërore, të cilat krijojnë mundësinë e zgjedhjeve midis alternativave politike të vërteta, apo mbi vizione konkurruese që përbëjnë thelbin e demokracisë dhe të zhvillimit. Duhet t’i japim fund njëherë e përgjithmonë mediokritetit të një politike grindavece, që merret me çështje dytësore, duke krijuar një lodhje psikologjike masive dhe duke harxhuar energji pafund të një shoqërie që rrezikon të kthehet në apatike.

Për shembull asnjëra nga palët politike nuk artikulon në publik çështje të rëndësishme si ekonomia, emigracioni apo arsimi.

Përse opozita shqiptare nuk është marrë njëherë të vetme me një nga fenomenet më të dëmshme të shoqërisë shqiptare, që është ajo e emigracionit?

Çfarë zgjidhjeje jep për këtë plagë shqiptare të vitit 2019?

Apo, t’iu tregojë shqiptarëve se si do të rrisë punësimin apo të rrisë cilësinë e arsimit?

Të gjitha këto çështje, janë problem që shqetësojnë realisht sot shoqërinë shqiptare, dhe, që presin zgjidhje, ku asnjëra nga palët nuk po i përgjigjet.

Sepse, nga politika priten zgjidhje politike, dhe jo sentenca, duke u shndërruar në zyra avokatie, prokurorie apo gjykata.

Po ashtu, ky është një vit i rëndësishëm për ecurinë e mëtejshme në procesin e integrimit, ku çelja e negociatave kërkon gjithashtu një përpjekje bipartisan dhe një klimë politike reformuese dhe jo konfliktuale.

Prandaj, le t’i kthehemi normalitetit politik, ku çështjet e reformave, ekonomia dhe problematikat e tjera të zënë vendin kryesor. Për të gjitha çështjet e tjera, mendon Reforma në Drejtësi.