.

Dokumenti/ Ja afati për të mbyllur lojërat e fatit

Projektligji i qeverisë për mbylljen e lojërave të fatit dhe basteve sportive është futur zyrtarisht në procedurat parlamentare.
Gazeta “Panorama” zbardh sot relacionin e projektligjit, ku detajohen ndryshimet ligjore.

QËLLIMI I PROJEKTLIGJIT

Sipas relacionit shoqërues të projektligjit që parashikon mbylljen e lojërave të fatit, përcaktohet se: “Qëllimi i këtij projektligji është ndërprerja e ushtrimit të aktivitetit të basteve sportive dhe të basteve për garat në pistë, me përmbushjen e afatit të përcaktuar në këtë projektligj, deri në datën 31 dhjetor 2018.
Ky projektligj është në të njëjtën linjë me ndalimin ligjor të parashikuar për kazinotë elektronike dhe bingot tradicionale, të cilat kanë të drejtë të ushtrojnë aktivitetin e tyre deri më 31 dhjetor 2018. Ky projektligj synon të ndjekë të njëjtën logjikë dhe të njëjtin afat edhe për kategoritë ‘Baste sportive’ dhe ‘Baste për garat në pistë’.
Për vazhdimin e mëtejshëm të kësaj veprimtarie, po konsiderohet mundësia e trajtimit të saj si monopol shtetëror dhe ushtrimi i kësaj veprimtarie nga struktura shtetërore të ngritura posaçërisht”.

ARGUMENTIMI I NDRYSHIMEVE

Në relacion jepen edhe argumentet e ndryshimeve ligjore. Në relacion shpjegohet se: “Ky projektligj është hartuar në 2 nene. Në nenin 1 të këtij projektligji bëhet një shtesë dhe ndryshim. Në pikën 1, të nenit 1 të këtij projektligji, bëhet shtesa me këtë përmbajtje: “2/ 1. Organizatorët e kategorive ‘Baste sportive’ dhe ‘Baste për garat në pistë’ do të ushtrojnë aktivitetin e tyre deri në datën 31 dhjetor 2018.

Të gjitha aplikimet për pajisjen me licencë për kategoritë e sipërpërmendura në proces shqyrtimi, ndërpriten.”. Ky propozim bëhet me qëllim ndërprerjen e ushtrimit të aktivitetit të lojërave të fatit për kategoritë “Baste sportive” dhe “Baste për garat në pistë”, me përmbushjen e afatit të përcaktuar në këtë projektligj, deri në datën 31 dhjetor 2018, si dhe mosvijimin e procedurës së licencimit për subjektet që kanë depozituar kërkesën e tyre për pajisjen me licencë për këto kategori, pranë strukturës përgjegjëse.

Në pikën 2 të nenit 1 të këtij projektligji bëhen këto ndryshime: Fjalët “… ‘Basteve sportive’ dhe ‘Baste për garat në pistë’ hiqen, si dhe fjala ‘… të kategorive …’ zëvendësohet me ‘… e kategorisë …’. Ky propozim bëhet me qëllim që aktiviteti i lojërave të fatit për kategorinë ‘Bingo televizive’ të mbetet i paprekur nga trajtimi që u bëhet me këtë ligj kategorive ‘Baste sportive’ dhe ‘Baste për garat në pistë’”.
Në relacionin e projektligjit “Për një shtesë dhe ndryshim në ligjin nr. 155/ 2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, parashikohet edhe afati për hyrjen në fuqi të ligjit. Në nenin 2 të projektligjit parashikohet se hyrja në fuqi e ligjit do të jetë data 1 janar e vitit 2019, duke i lënë një afat më shumë se dymujor biznesit të lojërave të fatit dhe basteve sportive për t’u përgatitur për mbylljen e aktivitetit. /Panorama

Më poshtë relacioni: