.

Kryeministri antikonformist, që kërkon të edukojë shqiptarët

Nga Ervis Iljazaj

Edhe pse pozicioni i Kryeministrit e ka formalizuar disi, Edi Rama vazhdon të mbetet një lider atipik. Që në fillimet e tij politike, dallohej dukshëm mënyra e ndryshme në komunikim, veshje apo sjellje.

Me pak fjalë, Rama vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite një person antikonformist, dhe si pasojë edhe në postin e Kryeministrit është ndryshe nga kolegët e tij europianë dhe rajonalë.

Jo rrallëherë, mediat merren me atletet apo me veshjen e tij ekstravagante, në parlament apo në takime ndërkombëtare, duke e kritikuar për këtë sjellje që nuk është aspak institucionale.

Personalisht mendoj se, veshja, nuk tregon aspak nivelin e inteligjencës apo të punës të një Kryeministri. Ashtu sikurse thoshin romakët dikur, shijet dhe ngjyrat nuk diskutohen.

Janë politikat ato, që vërtetojnë nëse e meriton atë post apo jo. Megjithatë, ky është një diskutim ku gjithsecili ka mendimin e tij.

Mirëpo, në mënyrë paradoksale, Edi Rama, në kontradiksion me karakterin e tij antikonformist, dhe ndoshta ‘të çrregullt’, me anë të disa iniciativave, por kërkon të edukojë qytetarët shqiptarë.

Për shembull, nisma për të mbyllur të gjitha bastet dhe kazinotë, është padyshim një politikë morale dhe me karakter pothuajse paternalist.

Është e vërtetë që bixhozi është një nga plagët e shumë familjeve shqiptare, por është vështirë të gjesh një vend tjetër në Europë dhe në Botë ku në një kryeqytet nuk gjen asnjë pikë të tillë.

Në fakt kjo është një politikë radikale për një të keqe ekstreme dhe në këtë kuptim, është pothuajse e pamundur të kontestohet. Kryeministri e di fare mirë këtë gjë. Prandaj, është kaq i sigurt dhe e përmend me krenari këtë politikë në çdo dalje televizive.

Nëse bëhet një sondazh për këtë iniciativë, me siguri, në shumicë dërrmuese, shqiptarët janë pro.

Por, pasionet, ose edhe veset nëse duam t’i quajmë në këtë mënyrë, është pothuajse e pamundur të ndalohen totalisht. Nuk ia ka dalë asnjë shtet në botë deri më tani. Madje, as diktatura e Enver Hoxhës nuk arriti dot të ndalojë vese të tilla.

Prandaj, ato rregullohen, kontrollohen apo mbahen nën mbikëqyrje nga institucionet shtetërore që efektet e tyre të jenë sa më pak të ndjeshme në një shoqëri të caktuar. Nëse do të ishte ndryshe, atëherë, do të duhej të ndalonim tregtimin e duhanit apo të alkoolit, të cilat, sipas të gjithave statistikave, janë dy gjëra që shkatërrojnë shëndetin dhe ekonominë e një personi apo një familjeje më shumë se çdo gjë tjetër.

Në këtë kuptim, lufta radikale kundër veseve apo pasioneve të ndryshme të një shoqërie, është një luftë e cila jo vetëm që është e pamundur, por në disa raste, edhe e gabuar.

Ndoshta, ky është një mendim jo populist, por është më se i vërtetë.

Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Kryeministri Rama merr rolin e një edukuesi publik ndaj qytetarëve të tij. Në shumë takime me qytetarët batutat e tij shkojnë në këtë drejtim. Duke iu treguar shqiptarëve se si duhet të sillen.

Edhe ligji antishpifje, ka brenda tij një tipar që Kryeministri Rama nuk lë rast pa e theksuar, sidomos kundër mediave, për të profesionalizuar ato. Shpeshherë, në mënyrë edukuese tregon se si ato duhet ta kryejnë punën e tyre.

Kështu që, politikat edukuese të Ramës apo konformiste, deri diku paternaliste, shkojnë në kundërshti me karakterin e tij antikonformist. Karakter nga i cili ka përfituar shumë deri më tani politikisht.