.

Provokimi më i fundit i Muç Nanos: Noizy në tekstet shkollore? Përdhosje, ta lëmë në ‘shenjtërinë’ e tij

MUSTAFA NANO/ E njihni Noizin? Me siguri, po. Në mos e keni ndjekur, ia keni dëgjuar emrin. Edhe unë ia kam dëgjuar emrin, ndonëse nuk e kam ndjekur. Ca copëza këngësh ia kam dëgjuar, sidoqoftë. Një herë në një stacion radioje. Një herë në një nga ato stacionet televizive me vetëm muzikë. E një herë tjetër, ngaqë dikush i afërt më ka futur këngë të vetat në një usb që unë e mbaj në makinë. Shkurt, Noizit nuk i fshihemi dot. Kështu ndodh gjithnjë me personazhet që janë shumë popullorë, me personazhet që janë shndërruar në një fenomen. Dhe ai është shndërruar në një fenomen shqiptar. Ky është fakt.

Mua më thanë këto ditë se Noizy ishte futur edhe në tekstet shkollore. Ai që ma tha, ma tha me një lloj alarmi. Dhe nuk është se dinte detaje. Nuk është se e dinte se në ç’formë ishte futur në tekstet shkollore. E t’ju them të drejtën, në mungesë të informacionit, më kapi edhe mua një lloj shqetësimi. Mendova se mos ishte bërë personazh antologjish letrare, siç është bërë Bob Dylan në SHBA apo këngëtarë të tjerë të mëdhenj në Europë. Sepse ka një numër këngëtarësh që, për shkak të popullaritetit, por mbi të gjitha për shkak të revolucionit që kanë shkaktuar në muzikë, e për shkak të mesazheve që përcjellin me këngët e tyre, studiohen edhe nëpër shkolla. Kënga e Celentanos, fjala vjen me titull “Il ragazzo della via Gluck”, nuk ka pse të mos studiohet në shkolla. Ajo është një nga këngët e para ekologjike të botës. Në mos e para fare