.

Vrasja e trefishtë në Mat, flet brigadieri: Koxha thoshte do t’ju vras të gjithë

Pas vrasjes së trefishtë dje në Mat, sot ka folur edhe brigadieri i ndërmarrjes Gëzim Hoxha, i cili ka dhënë detaje të reja për “masakrën” e kryer ndaj punonjësve të bashkisë.

Ai ka deklaruar se në plan ishin për t’u rregulluar të gjitha rrugët në fshat, ndërsa thekson faktin se sa po kanë hyrë në lokal, Koxha ka ardhur i armatosur me automatik.

“Shoferët shkuan me makineritë 15 minuta para, ndërsa unë dhe kryeplaku shkuam pas tyre. Kujtim Koxha thoshte do t’i vrasë të gjithë”, tha ai.

Ai shprehet se shkaku i vrasjes nuk ka të bëjë me 10 metrat e rrugës siç është raportuar në media.

“U nisem për në Shëlli, për riparimin e rrugës. Morëm makineritë, rreth orës 08:00 ishim në Shëlli. Për Koxhën na thanë që kishte tërë ditën në lokal. Kujtim Koxhën nuk e njihnim, s’kemi patur kontakt me të. Kërkesa për 10 metra rrugë është gënjeshtër”.Kujtim Koxha me Hamit Buçin ishin shokë. Hamit Buçi ishte te banaku, nuk ishte me ne.”, shtoi ai.

Brigadieri i ndërmarrjes shprehet se nuk është në dijeni për faktin nëse Koxha ka patur debate të mëparshme me shoferët. Vrasja në Mat ka shkaktuar debate të shumta në opinionin publik, ndërsa bashkia ka vendosur t’u akordojë titullin “Nderi i Matit” punonjësve, të cilët humbën jetën në krye të detyrës. /Balkanweb