.

“Më hipi në makinë me forcë, do më çonte në Greqi”, si u zbulua rrëmbimi në kufi i 17 vjeçares nga vlonjati

Dalin detaje të reja nga arrestimi i djeshem i të riut nga Vlora, i cili do të trafikonte nje adoleshente në Greqi. Ai u arrestua në Pikën Kufitare të Zminecit në Sarandë.

Xhoni Qëndraj, banor në lagjen “Partizani” në qytetin e Vlorës, u vu në pranga nga Policia e Sarandës pas kallëzimit që bëri në drejtim të tij një 17-vjeçare me inicialet F.A., edhe ajo banore e qytetit të Vlorës.
Adoleshentja ka deklaruar se Xhoni Qëndraj e kishte marrë atë nga Vlora me qëllim për ta trafikuar në shtetin grek. 22- vjeçari u kap në Pikën e Kalimit Kufitar të Zminecit, ku në momentin e konstatimit dhe kapjes, ka bërë rezistencë duke mos iu bindur shërbimeve të Policisë me qëllim që të kalonte kufirin bashkë me vajzën e mitur.

“Policia e Sarandës ka bërë arrestimin e tij mbi bazën e kallëzimit të bërë nga shtetasja F.A, 17 vjeçe, banuese në Vlorë, e cila ka deklaruar se shtetasi Xhoni Qëndraj e kishte marrë atë nga Vlora me qëllim për ta trafikuar në shtetin grek”, bën me dije Policia.

Ka qenë vetë 17- vjeçarja me inicialet F.A., ajo që denoncoi te shërbimet policore të Kufirit në Zminec, duke kërkuar ndihmë prej tyre për ta shpëtuar, duke u shprehur se ishte rrëmbyer prej tij.

“Më shpëtoni nga ky. Më ka rrëmbyer”, kanë qenë fjalët e F.A., drejtuar policëve të Zminecit, sa i pa të afroheshin drejt saj. Në dëshminë para grupi hetimor në Policinë e Sarandë, adoleshentja ka treguar se 22-vjeçari e kishte rrëmbyer me forcë.

“Më ka rrëmbyer në Vlorë, në lagjen time dhe me forcë më ka hipur në një makinë. Gjatë rrugës më thoshte se do të më çonte në Greqi”, ka rrëfyer 17-vjeçarja para oficerëve të Policisë në një gjendje tepër të rënduar.

Ajo është fëmijë e dy prindërve të divorcuar prej vitesh dhe jeton me nënën. Dhe këtë gjë e shprehte shpesh në dëshminë e saj.

“Nuk kam njeri që të më mbrojë, më mbroni ju”, u drejtohej ajo forcave të Policisë gjatë marrjes në pyetje. Por, jo vetëm kaq, sipas burimeve policore, mësohet se Xhoni Qëndraj është person me precedent penal dhe ishte person i shpallur në kërkim nga Policia e Vlorës për disa vjedhje.

I riu rezulton një nga bashkëpunëtorët e grupit të kapur gjatë operacionit “Four” të organizuar në datën 3 tetor 2018, ku u dokumentua se grupi, pjesë e të cilit ishte dhe Qëndraj, kishte kryer të paktën 10 vjedhje.

Çështja e 22- vjeçarit të arrestuar i ka kaluar Prokurorisë Sarandë, ku ndaj tij rëndon akuza “Trafikimi i të miturve” dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik”./Panorama