.

Video – Profili i autorëve në vrasjen e Bllokut

Në konfliktin e së enjtes së 4 tetorit në mes të bllokut ku mbeti i vrarë një  person dhe u plagosën dy të tjerë, u përfshinë persona të njohur për policinë e shtetit.

36 vjeçari Ervis Martinaj është ndoshta personi më i njohur edhe për publikun. Aktualisht ai zotëron disa biznese në fushën e lojrave të fatit dhe basteve sportive. Martinaj u akuzua për moskallëzim krimi në vrasjen e Enton Nikës në nëtor të vitit 2015. Ai u dënua nga Shkalla e parë e gjyqësorit me 2 vite burg por Apeli vendosi prishjen e këtij vendimi dhe Martinaj u shpall i pafajshëm. I riu nga Burreli është përmendur gjithashtu edhe në gjyqin e Emiljano Shullazit si dhe është akuzuar nga disa tregtarë të Lezhës për gjobëvënie. Martinaj mbeti i plagosur nga një plumb në qafë dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Fabiol Gaxha 28 vjeç është personi që mbeti i vrarë në përplasjen me armë të së enjtes. Gaxha ishte në kërkim nga policia e Tiranës pasi akuzohej për vrasje të mbetur në tentativë. Në 27 gusht të këtij viti Gaxha plagosi me armë zjarri Andi Spahiun i cili gjithashtu u arrestua nga policia sepse në shtëpinë e tij u gjetën disa doza heroinë. Fabiol Gaxha mbante kartën e identitetit të vëllait të tij, me të cilin kishte ngjashmëri,  për t’i shpëtuar policisë. Gaxha ishte një nga miqtë e Martinajt që kishte edhe rolin e truprojës së tij.

Eljon Hato, 28 vjec, i njohur edhe me emrin Esmeraldo Hato, është gjithashtu miku i Ervis Martinajt. Në konfliktin e të enjtes ai mbeti i plagosur rëndë pasi plumbi e ka goditur në kokë. Hato u akuzua se në maj të vitit 2014, pas një sherri banal vrau në Shkodër Indrit Hyllin dhe plagosi Jetmir Mollën. Ai u arrestua për këtë ngjarje në 3 maj të vitit 2015. Hato, akuzohet gjithashtu nga qelia e burgut kishte porositur edhe vrasjen e mjekut A.T në shkodër, ngjarje e cila u parandalua nga policia. Në 27 korrik të 2017, gjykata e shkallës së parë në shkodër e dënoi Haton me 4 vite burg për armëmbajtje pa leje. Hato është plagosur në kokë dhe është në gjendje të rëndë shëndetësore.

 

Ervin Mata, 31 vjeç është i dashuri këngëtares Elvana Gjata. Mata është djali i një biznesmeni të njohur i cili ka në pronësi edhe një hotel luksoz në Tiranë. Mata u largua menjëherë pak konfliktit dhe është në kërkim nga policia.

 

Merviol Bilo, 41 vjeç. Ai akuzohet si autori i vrasjes së Fabiol Gaxhës. Bilo është anëtar i forcave të armatosura shqiptare, pjestar i forcave komando si dhe ishte i punësuar si truproja e Elvana Gjatës. Ushtaraku ka qenë pjesë e disa misioneve në Afganistan dhe është dekoruar nga autoritetet shqiptare. Ai konsiderohet edhe si një nga qitësit më të mirë të forcave tona të armatosura. Pas ngjarjes Bilo u largua dhe është në kërkim nga policia.

Fabiol Alushi, 42 vjeç nga Tirana njihet si miku i Ervin Matës. Alushi ishte pjesë e tavolinës ku qëndronte Ervin Mata. Fabiol Alushi, arriti të largohej nga vendngjarja dhe është në kërkim nga policia.

Gledo Hoti, 37 vjeç njihet edhe si miku i Ervin Matës. Hoti u arrestua nga policia një ditë pas ngjarjes në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës teksa tentonte të largohej nga vendi. Fillimisht policia nuk njoftoi se Hoti ishte pjesë e konfliktit apo se ishte në kërkim por në momentin e arrestimit u tha se ai ishte pjesë e tavolinës së bashku me Matën, Alushin dhe Bilon. /Open