.

Video/ Dinamika e ngjarjes së Bllokut, si lëvizën viktima, vrasësi dhe të tjerët

 

Përplasja me armë e të enjtes brenda njërit prej bizneseve të bllokut, u raportua fillimisht se ishte pasojë e ngacmimit që ju bë këngëtares Elvana Gjata, por nga burimet policore besohet se kjo çështje mund të ketë qenë vetëm një pretekst për të mbuluar arsyen e vërtetë të konfliktit.  Megjithatë, në bazë edhe të dëshmive të administruara në dosje që Open i sjell për herë të parë në mënyrë ekskluzive, rezulton se Ervin Mata, i dashuri i Elvana Gjatës, nën shoqërinë e Merviol Bilos, Fabjol Alushit dhe Geldo Hotit ndodheshin në dyqanin e Redi Popeskut, biznesmen i njohur në Tiranë, që prej orës 18 të së enjtes. Ky i fundit ka dëshmuar në polici se Mata i kishte kërkuar nëse mund të takoheshin me Ervis Martinajn në dyqanin e tij sepse kishte diçka për tu sqaruar. Pasi Popeski thotë se nuk kishte asnjë problem me Martinajt dhe se madje edhe e njihte. Gjatë një momenti teksa ishte në ambientet e biznesit të Popeskut, Ervin Mata del jashtë dhe takohet me të dashurën dhe pastaj ka hyrë sërish brenda. Në orën 21.00 në biznesin e Popeskut janë futur Ervis Martinaj i cili shoqërohej nga dy persona të tjerë. Dy personat që shoqëronin Ervis Martinajn kanë shkuar në ambientet e banakut ndërkohë që vetë Martinaj dhe Ervin Mata janë ulur në një tavolinë kokë më kokë. Në këtë moment, brenda ambientit kanë hyrë edhe dy persona të tjerë të njohur të Ervis Martinajt. Këta të fundit janë konliktuar direkt me Merviol Bilon ndërkohë që thuhet se në këto çaste raportohet se Mataj dhe Martinaj kanë ndërhyrë për t’i ndarë.  Mbetet ende i paqartë momenti se kush qëlloi i pari me pistoletë, por pas kundërpërgjigjes së komandos Marvjol Bilaj, i vrarë mbeti Fabiol Gaxhaj dhe të plagosur  Eljon Hato dhe Ervis Martinaj.  E gjithë përplasja ka zgjatur pak sekonda. Ervin Mata, Merviol Bilo, Fabio Alushi dhe Geldo Hoti u larguan menjëherë nga vendngjarja ndërkohë që të plagosurit Ervis Martinaj dhe Eljon Hato u tranportuan për në spital.

Transporti me taksi

Në dëshminë e tij dhënë në polici, Redi Popesku thotë se gjatë kohës së shkëmbimit të zjarrit, ai u fut poshtë banakut dhe pranë tij erdhi Ervis Martinaj. Kur çdo gjë kishte përfunduar, Popesku thotë në dëshminë e tij se Martinaj i kërkoi ndihmë që ta transportonte në Spital dhe pronari i biznesit, thotë se Martinajn e ka shoqëruar deri tek taksitë.

Një detaj nga dosja hetimore është edhe dëshmia e një taksisti i cili kishte parkuar pranë ambienteve të lokalit. Ai thotë që një klient i kërkoi që të shkonin në spitalin ushtarak rreth orës 23.00. Gjatë gjithë udhëtimit taksisti dhe klienti nuk kanë folur me njëri tjetrin. Në momentin që taksia ka shkuar pranë Spitalit të traumës, pasagjeri ka dalë jashtë dhe sipas dëshmisë së taksistit nuk e ka paguar. Taksisti pohon gjithashtu se kur ka vërejtur sediljen e pasme të makinës, ka parë aty një pellg gjaku. Pas pak minutash, spitali  ku shkoi vetë Ervis Martinaj, u blindua nga forcat speciale. /Open