.

Pse çështja e Xhisielës nuk është politike, por kombëtare. Dje Nikla erdhi në Bllok

Nga Rudina Xhunga

Dje isha e ftuar në një emision televiziv të ‘News 24’, drejtuar nga Ylli Rakipi dhe u ndjeva si peshku pa ujë.
Drejtuesi më sqaroi disa herë se bëhej fjalë për një çështje politike dhe si e tillë duhej trajtuar.

Unë refuzoj ta shoh si çështje politike rastin “Xhisiela”.

Po ta trajtosh si të tillë, i bie të thirren në zgjidhje vetëm Rama-Basha, ta diskutojnë analistët në studio dhe ta arkivojmë sapo nis çështja “Vrasja te Blloku”. Këto nuk janë çështje politike. Janë çështje kombëtare.

Çështjen ‘Xhisiela’ nuk e zgjidh dot vetëm dëshmia e Nuhut, se ai e braktisi punën dhe vendin.

Këtë nuk mund ta zgjidhin, as vetëm gazetarët e kronikës, as analistët, as moderatorët, as portalet, as gjykatat, aq më pak publiku që bombardohet me informacion që e mpin dhe demotivon. Mbrëmë mendova pikërisht për publikun, gjatë emisionit. Unë isha e ftuar dhe u ndjeva e përjashtuar nga fraza: kjo është politikë. Po publiku si ndihet, po t’i thuash këtë?

Sigurisht i mënjanuar, i paftuar në zgjidhje, se po është politike, e dinë “ata”.

Por jo, nuk është politike, është kombëtare.

Përplasja me krimin, pushtetin e më të fortit, që po iu tek, të përdhunon, të vret dhe ia hedh, është çështje kombëtare. Kjo nuk është më, as vetëm çështje e policisë dhe prokurorisë. Polici e prokurori është njeri si unë e ti. Ka frikë se është i dobët në një shtet, ku ligjin e bën i forti. I forti paguan politikën, grupet e armatosura dhe medien.

Dhe forcohet gjithmonë e më shumë. I dobëti, më e pakta ul kokën, të mbushë lotarinë amerikane.

Dhe kështu po zbrazemi.

Ndaj çështjet e të fortëve e qyteteve, lagjeve e shtëpive tona, nuk janë me çështje politike, janë çështje kombëtare. Është e kotë të fshihemi pas gishtit, në debate që orientojnë politikisht dhe politikanë me alibira tabulatesh. Është më shumë se kaq, është më thjesht se kaq. Është vetëm një pyetje, që duhet t’i bëjmë vetes: Do të lejojmë të na përzënë nga ky vend?

Nëse jo, nëse nuk kemi atdhe tjetër, e kemi detyrim të mos lejojmë të na thonë, kjo është politikë.

Joooo, krimi është çështje kombëtare.

E ushqen nënshtrimi ynë, ndaj atyre që bëjnë drogë, prostitucion, krim dhe korrupsion.

Na duken të zotë, ulim kokën dhe bëjmë sikur nuk e kanë me ne.

Po nëse Nikla është larg, dje erdhi në Bllok, nesër të vjen në shtëpi. Është çasti që nuk ka kthim pas.

Tani nuk ka qytetar, biznesmen, punonjës administrate, gazetar, prind që mund t’i lejojë vetes luksin të mos bëhet palë.

Përballë janë dy mentalitete, dy mënyra jetese, dy lloj njerëzish. Ata nuk janë pushtet e opozitë, por të punës dhe të punëve të pista.

Dhe pyetja që duhet t’i bëjmë Ramës dhe Bashës, tani është: Ju me kë jeni? Ne nuk e kemi shansin të mos bëjmë pyetje, se palët tani janë përballë. Nuk është Rama dhe përballë Basha, Xhafaj dhe përballë Noka.

Janë ata, që punojnë dhe ata që prostituojnë, janë ata që presin rrogën dhe ata që s’u duhet rroga, janë ata që heshtin dhe ata që vrasin, janë ata që zhvillojnë biznese dhe ata që u vënë gjoba bizneseve, janë ata që besojnë në ndershmëri dhe ndjeshmëri, dhe ata që tallen me këto e të këpusin kokën, po u preve rrugën, sikur edhe rastësisht.

Gjithmonë ata që bëhen me të keqen, bërtasin më shumë, ndaj duken pak ata që rreshtohen me të moralshmen.

Tani është momenti të numërohemi.

Ndaj ngrije dorën! Ti me kë je? Sepse lufta ka nisur. Dhe nuk është lufta PS-PD. Është lufta e krimit me shoqërinë./ dritare.net