.

Spiropali krahason opozitën me magjistricat e “Makbethit”: Po helmojnë qytetarët

Deputetja socialiste Elisa Spiropali ka sjellë një pjesë të “Makbethit” sot në seancë për të krahasuar opozitën me korin e magjistricave. Fjala e saj ishte në mbrojtje të kryeprokurores Arta Marku dhe policisë së shtetit, duke e akuzuar për shpifje opozitën dhe se po helmon çdo ditë qytetarët.

Spiropali theksoi se opozita nuk ka alternativë për qytetarët por bën kronikën e sezë. Nuk kanë munguar edhe disa vargje nga “Makbethi” i Shekspirit.
“Drejtuesit e opozitës së bashkuar që piqen në salla hotelesh ngjajnë si pika uji me korin e magjistricave të Makbethit.
Pa asnjë përkujdesje për qytetarët i helmojnë përditë me gjuhë pa anë e pa udhë. Çorbë e gatuar për të helmatisur mëngjeset, drekat e darkat e nënave, baballarëve, gjyshërve e gjysheve, të të rinjve.
Këta duan t’u bërtasin në fytyrë ‘ikni se Shqipëria nuk bëhet’. Kronikë e zezë e përzier me fake news.
Sulmojnë një grua që po lëviz prokurorët që nuk lëvizën kurrë një dosje nga vendi. Siç bëjnë burracakët, kur një grua është e fortë e sulmojnë për moral për nder, siç po bëjnë me kryeprokuroren. Ajo po ia del që së bashku me Policinë e Shtetit të godasë disa nga grupet kriminale që kanë operuar 20 e ca vite në vend. Reforma në drejtësi po fundos ata që kishin marrë peng prokurorët dhe gjykatat. Po ngre një katedrale të re në gjyqësor.
Mos të shpikin hilera për vettingje për të pashmangshmen. Nuk lënë gjë pa thënë për policinë e shtetit. Jo këtu se nuk vijnë por nëpër hotele. Sot janë tek Hotel Tirana dhe janë duke punuar për vete e jo për njerëzit. Nuk vijnë këtu të ngrenë çështje, nuk përballen, i fshihen përballjes”, deklaroi deputetja e PS.

Ajo tha se e vetmja gjë që duan të bëjnë është nxirja e realitetit. “Për Policinë e Shtetit nuk thanë asnjë fjalë të mirë këta heronjtë e çkriminalizimit të vendit.
Në momentin që një bandë kriminale kapet, heshtin. Kanë gjetur kriminelë të tjerë. Një opozitë që merret me kronikën e zezë. Ky është vizioni i opozitës shqiptare. Kështu do i bindin njerëzit që janë një forcë e denjë për të qeverisur. Njerëzit kanë nevojë për shpresë, këta po ua thajnë shpresën. Vettingu do bëhet, pandëshkueshmëria e politikës do marrë fund. Të ndahet njëherë e mirë kush është shpifësi, kush është politikani.
Urojmë që opozita të mos jetë futur në një rrugë pa krye, në një rrugë që e nxjerr nga sistemi”, deklaroi Spiropali.