.

“Na tha se do na vrasë”/ Kërcënohen dy gazetarë në krye të detyrës

 

Unioni i Gazetarëve shqiptarë, dega Elbasan, bën me dije se dy gazetarë janë kërcënuar në krye të detyrës.

Në një njoftim për mediat unioni deklaron se, kërcënimi u është bërë gazetarëve, Agim Blloshmi dhe Ediola Tereziu. Ata dy kanë qenë në detyrë për pasqyrimin e Panairit të Mjaltit në këtë qytet. Gazetari, Blloshmi ka deklaruar: “Kërcënohemi nga biznesmi Lulzim Hasballa në qendër të Librazhdit. Ishim duke bërë lajmin për zhvillimin e Panairit të Mjaltit. Isha së bashku me gazetaren Ediola Terziu. Ky biznesmen është fitues i tenderave në Librazhd. Na zuri rrugën dhe na kërcënoi me vrasje. Policia e Librazhdit nuk ndërhyri. Lajmërova dhe drejtorin e policisë Altin Qato. Kemi bërë kallzim penal në polici”.

“Unioni i Gazetarëve për qarkun Elbasan, dënon ashpër këtë kërcënim brutal ndaj gazetarëve në fjalë dhe Fjalës së Lirë. Nuk është hera e parë që gazetarë të këtij Qarku përballen me ngjarje të tilla. Me të drejtën profesionale dhe ligjore kërkojmë: Organet koopetente të zbardhin sa më shpejt ngjarjen. Autori kërcënues të vihet para drejtësisë ligjore”, mbyllet njoftimi i unionit.